Fjalët e para të Hadergjonaj si lojtar i Kosovës: Do të luaj për fanellën më të bukur në botë

Prishtinë | 09 Maj 2019 | 15:27 | Nga Ekonomia Online

Florent Hadergjonaj ka konfirmuar se ka pranuar ta përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare, duke këmbëngulur se gjithmonë ka qenë dëshira e tij të luajë për vendlindjen e vet.

Federata e Futbollit e Kosovës njoftoi gjatë ditës së Hadergjonaj edhe zyrtarisht është pjesë e Kombëtares verdhekaltër pasi është pajisur me pasaportë të Kosovës dhe janë plotësuar të gjitha dokumentacionet.

Mbrojtësi anësor i Huddersfield Town, klubit që deri në këtë sezon bëri gara në Premierligë, shkroi në Facebook se është i gatshëm ta veshë fanellën më të bukur në botë tani.

“Përshëndetje të dashur miq. Dua që të ju njoftoj se tani sapo kam marrë pasaportën e Kosovës dhe jam gati që të luaj me fanellën më të bukur në botë”, shkroi ai.

Për t’iu bashkuar ekipit të Kosovës, Hadërgjonaj e ka marrë nënshtetësinë e Kosovës dhe tani është i gatshëm për ndeshjet e qershorit, me Malin e Zi dhe Bullgarinë. Që të dyja këto ndeshje do të zhvillohen si mysafirë.

“Dëshira ime gjithmonë ka qenë të luaj për vendlindjen time, mirëpo është dashur të vije momenti i duhur. Jam grumbulluar edhe nga Zvicra nga të gjitha grupmoshat deri në ekipin e parë. Nga tani, unë Florent Hadergjonaj jam një Dardan plus për trajnerin Bernard Challandes dhe do të jap gjithmonë maksimumin për Kosovën tone”, shtoi ai. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme