Operacionet për izolimin dhe vënien nën kontroll të zjarrit në Malin e Krujës kanë vijuar gjatë gjithë natës, me angazhimin e pandërprerë të strukturave të emergjencave civile dhe Forcave të Armatosura.
Sipas njoftimit të institucioneve shqiptare, në operacion janë angazhuar mbi 200 efektivë të strukturave të emergjencave civile dhe Forcave të Armatosura, si dhe 80 efektivë të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit.
Në terren dhe nga ajri janë angazhuar 21 mjete zjarrfikëse, tre helikopterë, droni Bayraktar TB2, dy dronë me kamera termike të AKMC-së, autoambulanca, si dhe Qendra Operacionale e Lëvizshme e AKMC-së, e dislokuar në zonë për koordinimin dhe monitorimin e operacionit, shkruan Euronewsal.
Autoritetet bëjnë të ditur se operacioni po vijon me koordinim të plotë nga toka dhe ajri.
Prioritet mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, banesave dhe pronës, si dhe vënia nën kontroll e plotë e zjarrit.
Gjatë natës është bërë edhe evakuimi i banorëve në zonën Barabit-Lluban, në Bashkinë e Krujës, për shkak të përhapjes së zjarrit.