Futbollistët e skuadrës së Flamurtarit nga Prishtina janë duke i vazhduar përgatitjet individuale pas pezullimit të Superligës së Kosovës shkaku i përhapjes së koronavirusit në Kosovë, pandemi që tashmë ka prekur 20 persona.
Shtabi teknik i “kuqezinjve” për të mbajtur futbollistët në formë gjatë kësaj periudhe, u ka propozuar atyre që të instalojnë aplikacionin “Adidas Running App” nëpër telefona. Kështu, përmes këtij aplikacioni online, trajnerët e Flamurtarit monitorojnë në kohë reale aktivitetet fizike të 25 futbollistëve. Kjo formë e veçantë e stërvitjeve te Flamurtari ka nisur të hënën dhe do të vazhdojë të paktën deri të enjten (sot), kurse për herë të parë po përdoret nga një ekip i futbollit në Kosovë.
Ideator i kësaj është trajneri kondicional i Flamurtarit, Sashe Veljanovski, i cili e ka hartuar planin e përgatitjeve. Veljanovski ka treguar për “Kohën Ditore” se kjo ishte mundësia e vetme që lojtarët ta mbajnë formën fizike, pasi stërvitjet në grupe nuk mund të bëhen për shkak të gjendjes së krijuar nga përhapja e koronavirusit.
Trajneri nga Maqedonia e Veriut ka pranuar se deri më tani është shumë i kënaqur me angazhimin dhe seriozitetin që kanë treguar lojtarët e Flamurtarit – që i përcjellë vazhdimisht në aplikacion – në këtë kohë të pazakontë.
“Është një aplikacion që mund të merret në telefon, dhe nëpërmjet tij ne i ndjekim lojtarët. Unë e bëj programin e veçantë dhe ua jap atyre udhëzimet se çfarë vrapime të bëjnë gjatë kësaj kohe të ‘çmendur’ të koronavirusit. Duhet të kesh llogari tënden në aplikacion dhe pastaj e bëjmë grupin me lojtarët e Flamurtarit. Kur ata fillojnë të vrapojnë, ata e lëshojnë aplikacionin dhe unë mund t’i shoh në kohë reale dhe i ndjek se ku dhe sa vrapojnë ata. Maksimumi i vrapimit është një orë”, shtoi Veljanovski. Sipas tij, ky model i përgatitjeve bëhet vetëm për ta mbajtur formën e lojtarëve dhe të gjithë futbollistët përgatitjet i kryejnë në mënyrë individuale. Veljanovski zbulon se ka mënyra të ndryshme të motivimit të lojtarëve.