Drejtori i shkollës së mesme “Babë Dudë Karbunara” në qytetin e Beratit, Yzedin Hajdaraj i cili është arrestuar pas kallëzimit që kanë bërë dy nxënëset e tij, të cilat pretendojnë se i ka ngacmuar seksualisht në zyrën e tij ka dhënë dëshminë e parë. I pyetur në lidhje me denoncimin në polici, vetë Yzedin Hajdaraj nuk ka pranuar se ka ngacmuar seksualisht dy nxënëset e tij, shkruan “Panorama”.
Ai mësohet se ka mohuar kategorikisht akuzat e ngritura duke i quajtur shpifje të ulëta. Në marrjen në pyetje, drejtori ka kujtuar se ka kaluar një jetë të tërë në sistemin arsimor duke shërbyer si mësues në shumë shkolla të rrethit të Beratit dhe kurrë nuk ka pasur asnjë ankesë ndaj tij.
Baba i tre fëmijëve, dy djemve dhe një vajze, tashmë studentë, drejtori Hajdaraj tri vite më parë u emërua drejtor shkolle, ndërkohë që më parë ka punuar në shumë fshatra të rrethit si mësues. Dy nxënëset e vitit të dytë, emrat e të cilave nuk bëhen të ditura, kishin shkuar në zyrën e drejtorit për të biseduar për një provim që nuk e kishin kryer, pra e kishin të mbartur në lëndën e matematikës.
Drejtori i shkollës jep edhe lëndën e gjeografisë dhe mësuesi u kishte dhënë mundësinë dy nxënëseve që të jepnin provimin e fundit që nuk e kishin kryer ende. Këtu ato pretendojnë se janë ngacmuar seksualisht nga drejtori.
Më pas ato kanë vënë në dijeni prindërit në lidhje me situatën, dhe menjëherë kanë bërë edhe kallëzim në Polici.