Flet gruaja e një pjesëtari të ISIS-it: S’mund të jetoj përgjithmonë këtu, dua të kthehem në Britani

Prishtinë | 18 Shk 2019 | 09:27 | Nga Ekonomia Online

Gruaja e një pjesëtari të ISIS-it, Shamima Begum, ishte vetëm 15 vjeçare kur mori rrugën për në Siri. Tani, ajo është 19 vjeçare, para pak ditësh ka sjellë në jetë një djalë. Fëmija i saj i parë ka vdekur prej kushteve të rënda që kanë. Kërkesa e saj e vetme është të lejohet të kthehet në Britaninë e Madhe.

Begum, e cila ka dhënë një intervistë ekskluzive nga një kamp refugjatësh në Siri për SkyNews, pretendon se ka qenë vetëm një “shtëpiake”, për gjatë 4 viteve që ka jetuar atje, transmeton Koha.net.

Teksa flet për dëshirën e madhe për t’u kthyer në Britani, ajo pranë ka edhe foshnjën që sapo ka sjellë në jetë në një kamp refugjatësh, ku kushtet janë tejet të rënda. Ajo thotë se autoritetet në Britaninë e Madhe nuk kanë dëshmi se ajo paraqet rrezik për t’u kthyer.

Begum ishte martuar me një luftëtar të ri holandez, pjesëtar i ISIS-it, i quajtur Yago Riedijk, vetëm tri javë pasi kishte mbërritur në Siri në vitin 2015. Thotë se ishte e re dhe u mashtrua lehtë nga videot që shihte, me shpresën se atje do të kishte një jetë të qetë si myslimane.

Për të, nuk ishin fare problem ekzekutimet e kryera, pasi thotë se ka dëgjuar që me fenë islame, kjo është e lejuar, transmeton Koha.net.

Përmes kësaj interviste, ajo i ka bërë thirrje familjes së saj që jeton ende në Britani, të mos heqin dorë nga përpjekjet për ta kthyer edhe atë në vend. Thotë se është e bindur që ka njerëz të cilët e kuptojnë atë, për kushtet e vështira që po kalon, e madje siç shprehet ajo, nganjëherë ‘vdesin’ urie.

“Nuk e dija çka po bëjë kur u largova. Mendoja se do të kem një jetë më të mirë. Kam ende shpresa se mund të kthehem, s’mund të jetoj përgjithmonë në këtë kamp”, është shprehur ajo.

Në Britaninë e Madhe janë ngritur pyetje se a do të jenë në gjendje apo jo të kthehen personat që i janë bashkuar ISIS-it. Por, Begum thotë se e vetmja gjë që kishte bërë atje ishte roli i nënës.

“Kurrë s’kam bërë asgjë të rrezikshme. Thjesht kam qëndruar në shtëpi dhe jam kujdesur për fëmijët e mi. Kurrë s’kam bërë propagandë dhe kurrë nuk i kam inkurajuar njerëzit të vijnë në Siri”, ka thënë ajo.

Kur është pyetur në lidhje me veprimet se atje priten edhe kokat e njerëzve, ajo tha, “Po e dija që bëhen këto gjëra, për mua ishte në rregull”.

Ndonëse, imami i njohur në Londër, Ajmal Masroor, kur e ka dëgjuar këtë deklaratë të saj e ka demantuar, pasi ka thënë se, në fakt është e kundërta, transmeton Koha.net.

“Më thoni një moment kur profeti e ka justifikuar këtë veprim (prerjen e kokave)?. Në të vërtetë, Perëndia e thotë të kundërtën, marrja e një jete të pafajshme është sikur t’i marrësh jetën gjithë njerëzimit”, është shprehur ai.

Shamima Begum, është një nga tri nxënëset kur në vitin 2015, ikën për në Siri. Ishte bashkë edhe me Kadiza Sultana dhe Amira Abase.

Kadiza u raportua në vitin 2016 se ishte vrarë në një sulm ajror, por nuk dihet çka ka ndodhur me fatin e Amiras. Kadiza, kishte një djalë dhe një vajzë gjatë kohës kur ishte në Siri por që i vdiqën nga një sëmundje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme