Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka konfirmuar se Raphinha dhe Marc Bernal do të jenë pjesë e udhëtimit për përballjen ndaj CA Osasuna në Pamplona këtë fundjavë, ndërsa skuadra e tij synon të afrohet edhe më shumë me titullin e La Liga-s. Barcelona rikthehet në “El Sadar”, vendi ku Flick pësoi humbjen e tij të parë si trajner i Barcelonës, për ndeshjen që do të luhet të shtunën në orën 21:00.
Flick u pyet pikërisht për atë ndeshje dhe më herët kishte vlerësuar cilësinë e Osasunës, përfshirë edhe sulmuesin Ante Budimir.
“E mbaj mend atë ditë sepse bëmë shumë ndryshime në formacionin titullar. Nesër nuk do ta bëjmë këtë. Mendoj se tani jemi në një moment të mirë. E di gjithashtu që Osasuna po luan mirë dhe një nga objektivat e tyre është të luajnë në Evropë sezonin e ardhshëm. Si gjithmonë, duhet të japim maksimumin,” u shpreh ai.
Barcelona ka mundësinë të arrijë në 100 pikë këtë sezon nëse fiton pesë ndeshjet e mbetura, por kjo nuk është diçka që e shqetëson trajnerin gjerman.
“Ne jemi të fokusuar vetëm te ndeshja e radhës. Nuk jam i mirë me numrat. Do të ishte perfekte nëse i fitojmë të gjitha ndeshjet, por kemi ende kundërshtarë të vështirë. Duhet të luajmë në nivelin tonë më të mirë. Kjo është filozofia dhe mentaliteti ynë. Jam i kënaqur me atë që po shoh në stërvitje. Skuadra është 100% e fokusuar,” theksoi Flick.
Barcelona mund të rikthejë një nga lojtarët kyç në sulm, Raphinha, i cili ka munguar gjatë gjithë muajit prill për shkak të një lëndimi. Edhe Andreas Christensen dhe Marc Bernal janë stërvitur me ekipin.
“Lëndimet ndodhin. Rapha gjithmonë jep 100%. Kjo është mentaliteti dhe qëndrimi i tij. Ai na ndihmon shumë, por ka pasur vështirësi këtë sezon. Është e rëndësishme ta kemi sërish. Do të udhëtojë me ekipin dhe do të shohim çfarë do të ndodhë. Ai është kapiten. Ndoshta do të na japë atë që na duhet,” përfundoi trajneri i Barcelonës.