Florida, foshnja 7-javëshe vdes nga dëmtimet në kokë, prindërit akuzohen për vrasje

Prishtinë | 16 Gus 2026 | 12:42 | Nga Ekonomia Online

Një foshnjë vetëm shtatë javëshe ka humbur jetën në Florida të ShBA-së, ndërsa prindërit e saj po përballen me akuza për vrasje dhe neglizhencë të rëndë të fëmijës.

Sipas autoriteteve, më 14 tetor 2025 nëna telefonoi emergjencën duke raportuar se vajza ishte e zbehtë, e ftohtë dhe nuk reagonte.

Foshnja u dërgua në spital dhe u mbajt në aparatura për jetë, por katër ditë më vonë mjekët e shpallën të vdekur klinikisht, me dëmtime të rënda të trurit, shkruajnë mediat gjermane, transmeton Klankosova.tv.

Ekzaminimi mjeko-ligjor përcaktoi se shkak i vdekjes ishte trauma në kokë.

Hetuesit dyshojnë se foshnja ishte tronditur me forcë, ndërsa kishte edhe hemorragji në të dy sytë, dëmtime të retinës dhe fraktura të kafkës.

Prindërit, 20 dhe 22 vjeç, fillimisht deklaruan se e kishin ushqyer dhe vendosur foshnjën në krevat, ndërsa më pas e kishin monitoruar përmes telefonit.

Megjithatë, hetuesit pretendojnë se ata kishin luajtur video-lojëra dhe kishin parë video në YouTube, edhe në kohën kur foshnja ishte pa ndjenja.

Të dy janë arrestuar dhe ndodhen në paraburgim pa mundësi lirimi me kusht.

Ata i mohojnë akuzat dhe kanë zgjedhur të heshtin gjatë seancës së parë gjyqësore.

Të ngjashme