Njëri nga anëtarët e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror Florim Isufi, ka treguar për Gazetën Express se çfarë u diskutua saktësisht në takimin e mëhershëm me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj. Ai shpjegoi se e informuan kreun e ekzekutivit se deri ku kanë arritur me të gjeturat e reja për çështjen e Demarkacionit, derisa nuk dha një afat kohor se kur pritet të dalin me rezultate përfundimtare.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim informues anëtarët e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror me të cilët bashkëbisedoi për angazhimin dhe aktivitetin e deritanishëm të Komisionit, njoftoi më herët kumtesa nga Kryeministria.
Për këtë takim, ka folur pak më në detaje anëtari i këtij Komisioni Florim Isufi. Ai tha se takimi ka shkuar shumë mirë dhe se kryeministri ka dashur të informohet për të gjitha punët që deri më tani i ka zhvilluar ky komision.
“Normal takimi ka shkuar shumë mirë, kryeministri ka dashur që të informohet për për punët që janë zhvilluar dhe për takimet që i kemi pasur dhe punët në të ardhmen të cilat nap resin e deri tek rezultatet finale. Gjithçka është në fazën e përpunimit dhe derisa nuk del rezultati final ne nuk mundemi të dimë se çka përmban gjithë kjo analizë. Mirëpo ne e kemi informuar për të gjitha të gjeturat deri më tani”, u shpreh Isufi për Express.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i kishte dhënë kohë një muaj këtij komisioni që të dal me fakte të reja rreth shënjimit të kufirit me Malin e Zi, por Isufi nuk tregon një periudhë të saktë se kur mund të dalin me një epilog për këto të dhëna.
“Nuk kemi biseduar se kur priten rezultate përfundimtare por ne normal që jemi duke punuar, në momentin më optimal të mundshëm do të ofrohen rezultatet”, shtoi ai ndër tjerash.
Shpejtim Bulliqi, kryetari i Komisionit për Demarkacionin deklaroi në një intervistë televizive se i kanë vizituar arkivat ushtarake në Kroaci dhe Slloveni dhe se atje kanë gjetur dokumente ku dëshmohet se Kosova humb tokë me versionin që tashmë ekziston dhe është ratifikuar nga shtetit malazez.
Por krejt kjo punë e këtij Komisioni nuk është se po ia mbush syrin presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, demarkacioni për të cilin po konsiderohet çështje e mbyllur. Madje kreu i vendit e ‘goditi’ Bulliqin duke thënë se ky i fundit nuk po sjell asnjë fakt për humbje territori dhe se shtetin po e trajton si pronë private.
“Zhurmëkotët e zakonshëm, të cilët për më shumë se dy vjet shkaktojnë konfuzion, jo më larg se dje, iu rikthyen zanatit të tyre. Ata përsëri arritën që me lehtësi, duke mos argumentuar asnjë pretendim amatoresk të zbuluar nga ta, të manipulojnë mediat dhe nëpërmjet tyre opinionin publik”, është vetëm një paragraf i reagimit të Thaçit drejtuar Bulliqit.
E pavarësisht këtij komisioni që po e kryen punën sa i përket Demarkacionit, Mali i Zi ka thënë se kjo është punë e kryer për ta. Nuk ka rinegociim e as mundësi që kjo çështje të dërgohet në Arbitrazh.
Sa për rikujtim, një proces mund të shkojë në arbitrazh vetëm nëse pajtohen dyja shtetet.
Sipas Haradinajt, vendi me versionin aktual humb tokë dhe përmes këtij komisioni pretendohet të dëshmohet se ky version është i gabuar.