Pesëdhjetë e dy fitore në 54 ndeshjet e fundit është bilanci i ekipit shqiptar të basketbollit, Black Eagles (Shqiponjat e zeza) me bazë në Dueseldorf të Gjermanisë, shkruan sot Koha Ditore.
Ky është ekipi i vetëm shqiptar i basketbollit që garon në Gjermani, pasi të futbollit ka shumë.
Për Black Eagles është edicioni i tretë nëpër divizionet e basketbollit gjerman. Aktualisht luan në divizionin e gjashtë – Landesliga dhe është lider me gjashtë fitore në po aq ndeshje të zhvilluara deri më tash.
Në krye të ekipit është trajneri Besim Rexhepi, i cili në fillim të viteve ‘80 ka qenë pjesë e Universitetit të Prishtinës, kurse shumica e lojtarëve janë shqiptarë. Prej 25 basketbollistëve, 14 janë shqiptarë ndërsa ka edhe të nacionalitetit gjerman, amerikan, turk, maroken, polak e grek.
Klubi është themeluar në nëntor të vitit 2015, kurse një vit më vonë ka filluar garat në kategorinë më të ulët, që është e teta dhe njihet si Kreisliga. Kështu që, brenda dy edicionesh është ngritur për dy kategori dhe në edicionin e tretë synon ngritjen në Oberliga (kategoria e pestë). Landesliga përbëhet prej 218 ekipeve të ndara në 13 grupe.