FMN: Duhen 20 miliardë dollarë për t’u rikuperuar nga pandemia

Prishtinë | 30 Tet 2021 | 12:42 | Nga Ekonomia Online

Ministrat e Shëndetësisë dhe Financave që u mblodhën përpara nisjes së samitit të G20-s në Romë paralajmëruan për një rikuperim me dy shpejtësi nga pandemia.

Shqetësuese është mungesa e vaksinave dhe shpenzimeve që po ngadalësojnë rimëkëmbjen në vendet e varfra.

“Ne besojmë se duhen 20 miliardë dollarë për të përshpejtuar vaksinimin dhe për të arritur objektivin e vaksinimit të 40% të popullsisë së botës brenda vitit dhe 70% deri në mesin e vitit të ardhshëm,” – u shpreh Kristalina Georgieva, drejtoreshë e FMN-së.

Në Ukrainë, presidenti i vendit i bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen me shpejtësi, pasi kuota ditore e infektimeve preku një rekord të ri, e nxitur nga një ngadalësim i ritmit të vaksinimit.

“Ju kërkoj të fikni rrjetet sociale dhe të ndizni trurin,” – deklaroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Në Kroaci, i gjithë vendi ndodhet në alarm të kuq për shkak të kuotës së infektimeve. Deri më sot, rezulton e vaksinuar rreth 47% e popullsisë.

Në 24 orët e fundit, vendi ballkanas ka regjistruar rreth 4.400 infektime dhe 26 vdekje.

Në Danimarkë, shtrimet në spitale janë dyfishuar përgjatë javës së fundit, duke çuar në rikthimin e kryerjes së testeve të shpejta.

Në Poloni ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë informoi të premten se numri total i infektimeve kishte kaluar kuotën e 3 milionëve, ndërsa ai i vdekjeve i ishte afruar kuotës prej 77 mijë.

Po të premten, Polonia regjistroi rekordin ditor gjatë valës së katërt të COVID-19, me rreth 1.000 infektime dhe mbi 100 vdekje.

Të ngjashme