Banka Qendrore e Kosovës ka publikuar Raportin mbi Kodin e Transparencës së Bankave Qendrore, të përgatitur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar pas kërkesës së BQK-së për asistencë teknike.
Sipas komunikatës, publikimi i raportit konsiderohet një hap i rëndësishëm në forcimin e përkushtimit të institucionit ndaj transparencës, llogaridhënies dhe komunikimit me publikun.
“Publikimi i këtij raporti shënon një moment të rëndësishëm në forcimin e përkushtimit afatgjatë të BQK-së ndaj transparencës, llogaridhënies dhe komunikimit efektiv me publikun”, thuhet në njoftim.
BQK bëri të ditur se në kuadër të procesit të rishikimit ka realizuar një vetëvlerësim gjithëpërfshirës përmes pyetësorit të FMN-së, pas trajnimeve dhe sesioneve për ngritjen e kapaciteteve të zhvilluara nga ekspertët e këtij institucioni ndërkombëtar.
Raporti i FMN-së njeh progresin e bërë nga BQK-ja në vitet e fundit, duke përmendur modernizimin e faqes zyrtare të internetit, zgjerimin e komunikimit shumëgjuhësh, rritjen e publikimit të informacionit financiar dhe mbikëqyrës, si dhe angazhimin më të madh me publikun për çështjet e stabilitetit financiar.
“Vlerësimi konkludon se praktikat e transparencës së BQK-së janë në përgjithësi në përputhje me CBT-në, me disa fusha që tashmë përmbushin standarde të avancuara ndërkombëtare”, thuhet më tej në komunikatë.
Sipas raportit, BQK ka ndërtuar një kornizë të qëndrueshme dhe në përmirësim të vazhdueshëm të transparencës në fushat e qeverisjes, politikave, operacioneve dhe rezultateve.
Në përgjithësi, FMN vlerëson se BQK-ja tashmë përmbush shumë standarde themelore të transparencës dhe është e pozicionuar mirë për të avancuar edhe më tej drejt niveleve më të larta të transparencës institucionale.
BQK ka njoftuar se do t’i integrojë rekomandimet e FMN-së në reformat e ardhshme, në kuadër të Planit Strategjik 2024-2028.
“Banka mbetet plotësisht e përkushtuar në forcimin e transparencës, përmirësimin e komunikimit me qytetarët dhe sektorin financiar, promovimin e edukimit financiar dhe mbështetjen e një sistemi financiar të qëndrueshëm dhe të mirëinformuar”, theksohet në komunikatë.