FOL i ndan Gjykatës Themelore në Ferizaj “Çmimin për Gjykatën më Transparente” për vitin 2022

Prishtinë | 31 Mar 2023 | 11:58 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjykata Themelore në Ferizaj është vlerësuar si gjykata më transparente në Kosovë, bazuar në publikimin e vendimeve nga gjykatat e Kosovës për vitin 2022 dhe monitorimit që ka bërë Lëvizja FOL, raporton Ekonomia Online.

Të gjitha gjykatat kanë shënuar rritje në publikimin e vendimeve, sipas këtij raporti, në krahasim me vitin 2021, përveç Gjykatës Themelore të Pejës e cila ka publikuar 24% më pak vendime.

Ndërsa, 3 gjykatat me më së shumti aktgjykime të publikuara janë Gjykata Supreme e Kosovës që ka publikuar 70% të lëndëve të zgjidhura, Gjykata e Apelit e cila ka publikuar 50% të lëndëve të zgjidhura dhe Gjykata Komerciale e cila ka publikuar 40% lëndë të zgjidhura.

Drejtoresha e FOL, Mexhide Demolli-Nimani, ka thënë se transparenca është një komponent shumë i rëndësishëm i sistemit gjyqësor dhe se Lëvizja FOL do të angazhohet që ajo të përmirësohet edhe më shumë.

Ajo tha se monitorimi është bërë kryesisht nga publikimi i vendimeve nga gjykatat e Kosovës për vitin 2022, teksa ka ndarë çmimin për atë themelore të Ferizajit.

“Sot kemi mbi 100 mijë aktgjykime të publikuara në uebfaqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Të gjitha aktgjykimet janë hulumtuar një nga një”.

“Lëvizja FOL do ta ndajë si çdo herë çmimin për gjykatën më transparente. E kemi zgjedhur një Gjykatë Themelore për shkak dendësisë së punës. Çmimi për gjykatën themelore më transparente për këtë vit shkon për Gjykatën Themelore në Ferizaj”, tha Demolli Nimani.

Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, tha se edhe institutcioni që ai drejton është i përkushtuar në rritjen e transparencës.

“Transparenca është një sistem sjelljesh që nuk diskutohet, por veprohet. Sistemet kanë ndryshuar dhe gjyqësori e ka mundësinë që t’ua tregojë qytetarëve, punën e gjyqësorit nga shtëpia”.

Ndërsa, si sfidë ai përmendi mungesën e kapaciteteve që të publikohen në kohë rekord të gjitha vendimet e të gjitha instancave

“Sigurisht gjithmonë ka qenë dhe mbetet sfidë, mungesa e kapaciteteve që të publikohen në kohë rekord të gjitha vendimet e të gjitha instancave”.

“KGjK është e gatshme ta zgjerojë kapacitetin për transparencë. Ju e dini që e kemi hapur komunikimin edhe me shoqërinë civile. Kemi takime të rregullta, që të përmirësohet sistemi gjyqësor”.

“Kemi bërë një nivel transparence edhe në pjesën e disiplinës, kemi zgjeruar komunikimin edhe me zyrat e komunikimit. Në këtë logjikë, mendojmë që punë KGjK-së të jetë sa më transparente. Në shumë raste vendimi plasohet në publik, me kërkesën e medieve, dhe fokusi ynë do të jetë që të publikohet në faqen e institucionit pa kërkesë”, tha Zogaj.

E Krenare Sogojeva-Dermaku tha se edhe Agjencia për Informim dhe Privatësi njërën prej shtyllave të saj kryesore e ka qasjen në dokumente publike.

“Jam sinqerisht e nderuar që sot të jem në këtë raport, për të ndarë të gjeturat për gjykatat. E dimë që asnjë institucion nuk është perfekt”, tha ajo.

Albana Hasani, hulumtuese në Lëvizjen FOL, ka prezantuar gjetjet e raportit.

“Në numrin e lëndëve të zgjidhura për secilën  gjykatë nuk janë përfshirë vendimet për kundërvajtje dhe të mitur. Gjatë periudhës janar dhjetor 2022 janë publikuar 34 mijë e 694 vendime”.

“3 gjykatat me më së shumti aktgjykime të publikuara janë Gjykata Supreme e Kosovës që ka publikuar 70% të lëndëve të zgjidhura, Gjykata e Apelit e cila ka publikuar 50% të lëndëve të zgjidhura dhe Gjykata Komerciale e cila ka publikuar 40% lëndë të zgjidhura”.

“Pra gjatë vitit 2022 të gjitha gjykatat kanë shënuar rritje në publikimin e vendimeve, në raport me vitin 2021. Përveç Gjykatës Themelore të Pejës e cila ka publikuar 24% më pak vendime”, tha Hasani.

Raportin e plotë mund ta gjeni në këtë link: bit.ly/3K13e29.

Të ngjashme