Lëvizja FOL ka organizuar tryezën me temë “Performanca e Prokurorisë në Luftën Kundër Korrupsion”. Aty u tha se njëri ndër problemet kryesore është numri i madh i lëndëve, ku përfshihen lëndët e reja, të zgjidhura dhe ato që janë në pritje, raporton Ekonomia Online.
Jeton Zulfaj nga Lëvizja Fol, i cili edhe ka prezantuar raportin ka thënë se në nivel vendi fluksi i lëndëve të pazgjidhura është i madh.
“Lëndë të pazgjidhura për persona gjatë vitit 2016 kanë qenë 1 424, lëndë të reja gjatë këtij viti 826, lëndë në punë 2 250, lëndë të zgjidhura 1 073 dhe raste të pazgjidhura 1 177”, ka thënë ai.
Sipas tij norma e zgjidhjes së lëndëve për vitin 2016 për Prokuroritë Themelorë në disa komuna të vendit është 203%, duke u nisur nga Prishtina më 203%; 87% Ferizaj; 89% në Prizren derisa Mitrovica qëndron më keq me vetëm 66 %.
Ndërsa Blerim Isufaj, kryesues i Këshillit Prokurorial të Shtetit tha se Prokuroria gjatë vitit 2016 ka një performancë të mirë në luftën kundër korrupsionit.
“Këshilli ka sfida të shumta me të cilat ballafaqohet e që janë të ndërlidhura me buxhetin e pamjaftueshëm. Me të drejtë ju e theksoni se mbetet ende shumë që të bëhet në transparencën e sistemit Prokurorial megjithatë si rezultat i mungesës së zëdhënësve në secilën prokurori, këto vështirësi do të na përcjellin edhe më tutje, për më tepër ne kemi mungesë të theksuar edhe të bashkëpunëtorëve profesional dhe zyrtarëve ligjorë”, ka thënë ai.
Ndërsa Sevdije Morina zv.kryeprokurore tha se shqetësuese është numri i madh i rasteve që gjatë rrugës së procedimit duhet të hidhen dhe të pushohen.
“Kur është fjala te performanca e prokurorëve, ngritja e akuzave kjo është edhe më shqetësuese nëse ngrihen akuza pa temelin që e parasheh ligji dyshimin e bazuar mirë që është një standard shumë i lartë prova të mjaftueshme me pas për me dërgu në gjykatë “, ka thënë ajo.
E, Genc Nimoni nga Organizata “Çohu” kërkoi të dijë se përse në raport nuk janë përfshirë edhe pjesa e profilit të njerëzve të akuzuar për korrupsion
“Po më intereson se nuk e pash në raport a është trajtuar pjesa e profilit të njerëzve të akuzuar në raste të korrupsionit dhe a ka qenë në format të këtij raporti apo jo. Nëse jo, a ka qenë problem që nuk keni pasur statistika për raste të korrupsionit, do të thotë të profilit të njerëzve të akuzuar dhe një prej Blerim Isufajt, dje është publiku raporti tre mujor i Komisionit Mbikëqyrës për raste të korrupsionit, edhe po më intereson, sepse dje nuk e pash nëse a është përfshi profili i njerëzve të akuzuar për këto raste të korrupsionit”, ka thënë ai.
E menjëhershme ka qenë përgjigja e Jeton Zulfaj nga FOL, i cili tha se raporti është statistikor dhe për këtë nuk kanë bërë kërkesë për këtë gjë.
“Për shkak se raporti është statistikor nuk kemi bërë kërkesë për profilin e këtyre personave që janë të akuzuar dhe nuk ka prej Këshillit Prokurorial nuk dalin statistika të tilla. Por besoj se është me interes nëse Këshilli në të ardhmen mundet me tregu edhe për profilin”, ka thënë ai.