Të gjitha qeveritë duhet të zbatojnë politika fiskale dhe monetare “thelbësore” për të ndihmuar konsumatorët dhe bizneset të përballen me dëmin ekonomik të shkaktuar nga shpërthimi i Coronavirusit, kështu ka thënë kryeekonomistja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Gita Gopinath.
Gopinath tha se kostot njerëzore të epidemisë janë rritur “me një normë alarmante”.
Sipas saj qeveritë duhet të zbatojnë masa të koordinuara ndërkombëtare. Ato duhet të marrin në konsideratë masa të tilla si transferimi i parave, subvencionimi për pagat ose lehtësim i taksave, ndërsa bankat qendrore duhet të jenë të gatshme të sigurojnë likuiditet për bankat dhe kompanitë, pasi virusi ka prekur zinxhirët e furnizimit dhe kërkesën e konsumatorit në të gjithë botën.
“Qëllimi është të parandalojmë që një krizë e përkohshme të dëmtojë përgjithmonë njerëzit dhe kompanitë përmes humbjeve të vendeve të punës dhe falimentimeve”, tha ajo.
Bankat qendrore duhet të jenë të gatshme të ofrojnë ndihmë financiare për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të cilat mund të jenë “më pak të gatshme t’i rezistojnë një ndërprerje të mprehtë”, shkruan CNBC.
“Nga ana e kërkesës, humbja e të ardhurave, frika nga infektimi dhe rritja e pasigurisë do t’i bëjnë njerëzit të shpenzojnë më pak”, shtoi ajo.
FMN njoftoi javën e kaluar se do të vinte në dispozicion 50 miliardë dollarë në mbështetje të forcimit të kujdesit shëndetësor, si dhe për t’iu përgjigjur nevojës së vendeve me të ardhura të ulëta ose në zhvillim të dëmtuara nga virusi.