Fondi për Sigurime Shëndetësore paguan 2.3 milionë euro për dy ditë – Plakiqi nuk është në dijeni

Prishtinë | 19 Kor 2022 | 12:02 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Anëtarët e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale kanë pasur akuza në drejtim të drejtorit të Fondit për Sigurime Shëndetësore, Fatmir Plakiqi. Ndaj tij, pozitë e opozitë kërkuan sqarime rreth shpenzimeve milionëshe dhe pagesat që janë kryer brenda vitit nga ky Fond, raporton Ekonomia Online.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, prezantoi disa pagesa që janë kryer nga ky Fond për spitalet private në Kosovë.

“Krejt e di mirë qysh punon bordi. Qysh ka ndodh ekzekutimi e 2.3 milionë eurove, për dy ditë mjetet janë derdhë për spitalet private në Kosovë. Për spitalin “Olive”, mbi 400 mijë euro, “Medipol Mega” 145 mijë euro, spitali “Eren”, 183 mijë euro e kështu më radhë. Këto janë të dhëna të servuara nga burime të sigurta. Misioni juaj ka qenë vetëm trajtimi jashtë vendit jo sigurime shëndetësorë brenda vendit. A keni partner strategjik për trajtimin e pacientëve jashtë vendit”, tha Dreshaj.

Por për këto shpenzime që i paraqiti Dreshaj, nuk ishte fort në dijeni Plakiqi.

Ai deklaroi sot se Kosova ka fonde të pashfrytëzuara në vlerë prej 1.4 milionë euro.

Sipas tij, ka shumë borxhe potenciale, por shtoi se Fondi ka rreth 2 milionë euro para të gatshme në llogari për t’i paguar ato por që sipas tij, nuk ka asnjë vendim zyrtar nga institucionet për borxhe.

Këto deklarata Plakiqi i bëri gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

“1.4 milionë euro është vlera e fondeve të pashfrytëzuara. Shumica e institucioneve me të cilat bashkëpunojmë janë vendore. Jemi duke punuar edhe me 48 institucione të jashtme në Maqedoni dhe Turqi. Kemi borxhe potenciale, rreth 2 milionë euro i kemi para të gatshme në llogari për pagesë. Por, nuk kemi asnjë vendim nga institucionet shëndetësore për t’i paguar borxhet”, u shpreh ai.

Tutje Plakiqi i ka quajtur spekulime hulumtimet e bëra në medie para pak javësh lidhur me keqpërdorimet në këtë Fond.

Plakiqi ka thënë se të gjitha këto, siç i ka quajtur ai, spekulime, të premten do t’i dërgojë në Polici e Prokurori.

Sipas tij, kjo është arsyeja pse nuk është deklaruar lidhur me këtë temë që ka shkaktuar jo pa tronditje në opinionin kosovar.

“Të gjitha këto spekulime të premten do t’i dërgojë në Polici. Kjo është arsyeja pse nuk kam dalë në publik. Krejt informatat janë tendencioze. Ka pasur lloj-lloj informata që janë plasuar. Por, janë organet e hetuesisë që të premten kam me ua dorëzu dosjen”, ka thënë ai.

Deputeti i GP të VV-së, Haxhi Avdyli tha se fondi vepron sipas Ligjit për sigurime shëndetësore.

“Me çfarë baze ju e keni futur shtetin tonë në borxhe”, pyeti ai.

Për këtë Plakiqi pati një përgjigje.

“Ne nuk e kemi futur shtetin në borxh, neve na ka fut në borxh QKUK dhe MSh. Bordi i trajtimeve jashtë është kompetentë për aprovim dhe refuzim të kërkesave për subvencionim”, tha ai.

Plakiqi tha se Obligimet për vitin 2021 janë 1.6 milionë ndërsa lëndët qe janë në pritje nga bordi për aprovim janë 7.7 milionë euro potenciale jo të aprovuara që shërbimet janë kryer.  

Të ngjashme