Fondi Rajonal i Sfidave (RCF), organizoi konferencën e tij të parë vjetore rajonale, për të ndarë rezultatet dhe përvojën nga thirrja rajonale që mbështeti investimet në trajnimin bashkëpunues.
Në fillim të këtij viti, nga shkurti deri në prill, RCF shpalli thirrjen, dhe mori 205 aplikime nga konsorciumet e instituteve të arsimit profesional dhe ndërmarrjeve nga të gjitha ekonomitë e Ballkanit Perëndimor.
66 konsorciume u përzgjodhën dhe u ftuan për të përgatitur projekt-propozimet e plota. Gjithashtu, vendimi i Komisionit Përzgjedhës për fondet e disponueshme për thirrjen e parë, rezultoi në propozimin për financim të 37 projekteve më të suksesshme., duke akorduar rreth 14,5 milionë euro për rajonin.
Frieder Woehrmann, Udhëheqësi i Ekipit të RCF-së, deklaroi me këtë rast: “Misioni i Fondit dhe i këtij projekti, ishte të forconte cilësinë dhe rëndësinë e arsimit dhe aftësimit profesional në tregun e punës, duke financuar investime në pajisje dhe infrastrukturë për projektet e përzgjedhura dypalëshe të trajnimit, që realizohen përmes partneritetit ndërmjet instituteve të arsimit profesional dhe ndërmarrjeve. Jemi jashtëzakonisht të kënaqur që kaq shumë aplikantë kanë paraqitur propozimet e tyre dhe që kemi mundësinë të mbështesim më shumë se 35 projekte të suksesshme. Ne do të vazhdojmë me Thirrjen e Dytë në fillim të vitit 2022 dhe mezi presim të japim mbështetjen tonë në këtë fushë të rëndësishme.Fondi Rajonal i Sfidave (RCF), është një strukturë financimi e krijuar për të rritur mundësitë e punësimit të të rinjve. Ai rrit konkurrencën e sipërmarrjeve në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, duke financuar investime në pajisje dhe infrastrukturë për projektet e përzgjedhura të trajnimit bashkëpunues, që realizohen përmes partneritetit ndërmjet instituteve të arsimit profesional dhe ndërmarrjeve. Grantet shpërndahen përmes një sfide rajonale konkurruese.
Fondi Rajonal i Sfidave, është shembulli më i mirë i efekteve pozitive që mund të arrihen duke zhvilluar sinergjitë e të gjithë aktorëve në procesin arsimor – politikëbërësve, instituteve të AFP-së dhe sektorit privat. Zbatimi i axhendës ekonomike rajonale, por edhe progresi i rajonit në fushat e dixhitalizimit dhe transformimit të gjelbër, varen thellësisht nga ofrimi i fuqisë punëtore të kualifikuar, të trajnuar përmes arsimit përkatës dhe të përshtatshëm në treg, duke përfshirë trajnimin në punë, dhe ne si shoqata rajonale e 6 odave kombëtare të Ballkanit Perëndimor 6, jemi të lumtur që kemi pjesëmarrje aktive në këto procese përmes RCF-së, deklaroi Tatjana Shterjova Dushkovska, Sekretarja e Përgjithshme e Forumit të Investimeve të Odave të Ballkanit Perëndimor 6.
Santiago Alonso Rodrigues, Shef i Divizionit të Evropës Juglindore dhe Lindore dhe Kaukazit Jugor, në Ministrinë Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ), deklaroi: “Fondi Rajonal i Sfidave, ka të bëjë me integrimin rajonal dhe mundësitë për rritje ekonomike. Po flasim për krijimin e mundësive të qëndrueshme dhe të barabarta për të rinjtë, që ata të marrin në dorë të ardhmen e tyre, veçanërisht femrat. RCF është programi ynë “fanar ndriçues”. Ne kemi arritur tashmë që në muajt e parë të zbatimit të bashkojmë sektorin privat dhe institutet e formimit profesional për të mirën e të gjithë aktorëve. Prandaj, më vjen mirë të njoftoj se mund të mobilizojmë 13.5 milionë euro shtesë për grante, gjë që e çon mbështetjen tonë deri në 33.5 milionë euro.”
Klaus-Martin Müller, Drejtor për Evropën Juglindore dhe Turqinë, Banka për Zhvillim KfW, tha: “Shpesh shohim se nuk është aq e lehtë të motivosh sektorin privat për t’u angazhuar aktivisht në aftësimin profesional. Pra, ne po mendojmë shumë për zhvillimin e koncepteve dhe qasjeve. Jemi shumë të lumtur që tani, me RCF-në kemi mundur të motivojmë me shumë sukses sektorin privat që të angazhohet në trajnimin professional, dhe të bashkohet me shkollat profesionale në paraqitjen e propozimeve. Kjo shkon shumë përtej pritshmërive që kishim.”
RCF gjithashtu njeh tre aspekte shtesë që përshkojnë sektorët dhe kufijtë ekonomikë dhe potencialin e tyre për ndërtimin e aftësive përkatëse të tregut të punës, në përputhje me iniciativat aktuale të politikave: tranzicioni i gjelbër, integrimi rajonal, dhe digjitalizimi. Konferenca e Parë vjetore mblodhi së bashku zyrtarë dhe ekspertë te BE-së, institucionet dhe organizatat që veprojnë në fushën e arsimit dhe formimit profesional, odat e ekonomise, organizatat private dhe publike, ndërmarrjet dhe OSHC-të ndërkombëtare dhe rajonale.
Fondi Rajonal i Sfidave është një program inovativ që synon të rrisë produktivitetin dhe konkurrencën e bizneseve në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. RCF është mandatuar nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim pranë Bankës së Zhvillimit KfW, dhe zbatohet nga Forumi i Dhomave të Investimeve të 6 Vendeve të Ballkanit Perëndimor (WB6-CIF), një iniciativë e përbashkët e dhomave të tregtisë nga rajoni.