Policia kufitare amerikane u ka hedhur gaz lotsjellës imigrantëve që po përpiqeshin ta kalojnë kufirin e SHBA-së me Meksikën në mënyrë ilegale. Në këtë përleshje ishin të përfshirë rreth 150 imigrantë që kanë ardhur nga vendet e ndryshme të Amerikës Qendrore.
Një zyrtar amerikan ka thënë se imigrantët kanë qenë të dhunshëm gjatë përballjes me policinë. Kjo përleshje vjen në kohën kur qeveria amerikane po vazhdon të mbetet pjesërisht e mbyllur pikërisht për shkak të kërkesës për ndërtimin e murit kufitar.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se forcat amerikane të sigurisë u kundërpërgjigjen me gaz lotsjellës pasi imigrantët filluan ta sulmojnë policinë me gurë. Sidoqoftë, një agjenci e lajmeve ka raportuar se imigrantët kanë gjuajtur me gurë pasi paraprakisht forcat e sigurisë hodhën gaz lotsjellës.
Zyrtarët për dogana dhe kufi kanë njoftuar se janë arrestuar 25 imigrantë, në mesin e të cilëve ndodhen edhe dy adoleshëntë, ndërsa shumica janë rikthyer në territorin e Meksikës. Një zëdhënës i ministrisë së jashtme meksikane ka shprehur keqardhje për ngjarjen dhe ka kërkuar nga palët që ta respektojnë ligjin, shkruan “BBC”.