Forcat amerikane kanë nisur uljen e numrit të trupave në Irak, pasi autoritetet e këtij vendi kanë shpallur “fitore” në luftën kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS) ka thënë zëdhënësi i qeverisë irakiane, Saad al-Hadithi.
Ai ka thënë se beteja kundër IS-it ka përfunduar andaj “niveli i prezencës amerikane do të reduktohet”.
Hadithi ka thënë se zvogëlimi është ende në fazat e hershme dhe tani nuk shënon fillimin e tërheqjes komplete të forcave amerikane.
Deklarata e Hadithit ka ardhur si konfirmim i raporteve të kontraktorëve Perëndimor në koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak, të cilët kanë thënë se trupat amerikane kanë filluar tërheqjen nga shteti.
Sipas raporteve ushtarët amerikanë, armët dhe pajisjet e tjera janë duke u transportuar jashtë Irakut për në Afganistan.
Shtetet e Bashkuara kanë nisur sulmet e para ajrore kundër IS-it në gusht të vitit 2014 dhe në vitet në vijim kanë përkrahur ushtrinë irakiane, duke përfshirë rimarrjen e Mosulit, qytetit të dytë më të madh në Irak.