Formacioni i javës së 31-të në Ipko Superligë – Dominojnë futbollistët e Prishtinës dhe Ballkanit

Prishtinë | 13 Maj 2019 | 16:18 | Nga Ekonomia Online

Java e 31-të në elitën e futbollit kosovar ka sjell disa rezultate mjaftë interesante dhe befasuese.

Prishtina në derbin e javës ka triumfuar ndaj Llapit 1-0, ndërsa lideri Feronikeli ka mposhtur lehtësisht kampionin në fuqi Dritën 4-1.

Ferizaj ka marrë fitore tejet të madhe në udhëtim 1-2 te Trepça ’89, ndërsa Ballkani ka mposhtur Gjilanin 1-0.

Flamurtari dhe Drenica kanë luajtur baras 0-0 në kryeqytet, derisa Liria ka triumfuar ndaj KEK-ut 3-1 në ndeshjen e dy skuadrave të rëna tanimë nga elita e futbollit kosovar.

Në formacionin e javës së 31-të, dominojnë futbollistët e Prishtinës dhe të Ballkanit që janë gjashtë sosh.

Feronikeli prezantohet me dy futbollistë dhe po aq edhe Ferizaj, ndërsa Arsen Sykaj është i vetmi nga Drenica.

Portier

Visar Bekaj ishte i pakalueshëm në portën e Prishtinës në derbin ndaj Llapit.

Reprezentuesi i Kosovës priti disa raste në pjesën e parë, ndërsa me të filluar pjesa e dytë bëri një mrekulli në gjuajtjen e Januzit. Padyshim më i miri i kësaj jave në Ipko Superligë.

Mbrotjja

Këtë herë vije me katër, ku krahët janë nga Ballkani, me Besnik Krasniqin në të djathtë dhe Arbër Potokun në të majtë.

Qendra e mbrojtjes është me dy futbollistë mjaftë cilësorë dhe më përvojë si Arsen Sykaj i Drenicës dhe Armend Dallku i Prishtinës.

Mesfusha

Dardan Çerkini është zhvendosur në mesfushë, por edhe aty po shkëlqen dhe ka ka shënuar njërin nga golat në fitoren e Ferizajt.

Blendi Baftiu gjithashtu ka qenë vendimtar me golin e tij në fitoren e Ballkanit 1-0 ndaj Gjilanit, ndërsa në mesfushë është edhe heroi i Prishtinës, Mërgim Pefqeli që realizoi në derbi ndaj Llapit në minutën e 88’.

Sulmi

Mendurim Hoti është në anën e majtë të sulmit pas dy asistimeve dhe një goli të shënuar në fitoren e Niklit 4-1 ndaj Dritës.

Në qendër është golashënuesi më i mirë në Ipko Superligë, Kastriot Rexha që realizoi dy gola ndaj ish-skuadrës së tij.

Ndërkohë në krahun e djathtë të sulmit është vendosur supertalenti i Ferizajt, Ermal Krasniqi që edhe këtë javë ishte vendimtar me golin e tij në fitoren te Trepça ’89. /Telegrafi/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme