Sot përfundon debati publik për zgjidhjet e propozuara ligjore me të cilat janë paraparë reforma në shërbimet sekrete dhe shërbimet e sigurisë në Maqedoni, sipas prioriteteve të reja reformatore të parapara në Raportin e Pribes.
Risia më e madhe në këto reforma është ajo që pajisjet të cilat deri tani i kishte në disponim Drejtoria e pestë në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK) “shpërngulet” prej aty dhe në të ardhmen me të do të disponojë Agjencia Operativo Teknike (AOT), shkruan DW.
Nën kompetenca të këtij trupi të pavarur duhet të jenë pajisjet përmes të cilave kyçet, mbikëqyret dhe shkyçet sinjali për përgjimin e komunikimeve, pajisjeje përmes të cilave mundësohet qasja e organeve deri te të dhënat e operatorëve celularë dhe i tërë koordinimi teknik për përcjellje të komunikimeve, transmeton Gazeta Lajm.
Përveç kësaj, është përgatitur edhe një propozim-ligj i ri për përcjellje të komunikimeve, në të cilin disa më e madhe është se përveç Komisionit të deritanishëm parlamentar, kontroll do të kryejnë edhe katër institucione tjera, prej të cilave njëri do të jetë organ i ri – Këshilli për kontroll civil.
Ministri i punëve të brendshme Oliver Spasovski paralajmëroi se nuk do t’i nënshkruajë ligjet, nëse nuk garantojnë mbrojtje nga përgjim antiligjor.
“Deri sa nuk kalojnë të gjitha debatet rreth këtyre zgjidhjeve ligjore, deri sa në opinion nuk pranohet zgjidhja e vërtetë që do të sigurojë nga keqpërdorimi i përgjimeve, nuk do të nënshkruaj ndonjë ligj të tillë”, premtoi Spasovski.
Mirëpo sipas DW, nëse krahasohet modeli i propozuar reformator do të vërehet se nuk janë respektuar sugjerimet e Pribes.
Në Maqedoni për momentin funksionojnë DSK dhe Agjencia për Zbulim, e cila është nën kontroll të presidentit, si dhe Seksioni për kundërzbulim në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes.