Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) në partneritet me agjencitë e Kombeve të Bashkuara, fondet, programet dhe entitetet në Kosovë, kanë ndarë sot (e martë) çmimet vjetore të gazetarisë për ç’rrënjosjen e varfërisë.
Në këtë garë, pjesëmarrës ka qenë edhe fotografi i gazetës Objektiv, Valdrin Fetahu i cili ka arritur të rrëmbejë çmimin e “Fotografit më të mirë” me imazhin e shkrepur në lokacionin e njohur si “Lagja e Ashkalinjëve” në Podujevë e i cili vë në pah jetën e vështirë të një djali të vogël nga komuniteti RAE.
“Në këtë foto është Emiri, 8-vjeçari që i takon komunitetit ashkali në Podujevë. Pavarësisht moshës që ka, ai nuk e ndjekë shkollimin, e njejtë si ky edhe dy motrat dhe vëllau i madh i tij. Ndonëse jeton një jetë në varfëri pothuajse të skajshme, Emirit nuk i mungon buzëqeshja në fytyrë.” – e shpjegon fotografi, Valdrin Fetahu imazhin fitues të kësaj gare.
Ai ka treguar domethënien e murit afër Emirit, i cili sipas tij tregon qartë ndasinë që edhe sot i mundon të gjithë ata që i takojnë komunitetit RAE.
Fetahut nga portali “Gazeta Objektiv” çmimin ia ndau Blerim Azizi, Koordinator i Zyrës së UN Volenteers në Kosovë.
Në kategorinë “Videostorja më e mirë e shkurtër” fitues dolën Nora Xhuzi dhe kameramani, Edon Gërbani nga Radio Televizioni i Kosovës.
Çmimi për “Storjen e shkruar më të mirë” iu nda gazetarit të Kohës Ditore, Rexhep Maloku, në ndërkohë që në kategorinë “Dokumentari më i mirë televiziv”, çmimin e fitoi dokumentari i gazetares, Valdete Osmani nga RTK.
Organizimi i sotëm u mbajt për nder të Ditës Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë që shënohet më 17 Tetor, e cila u caktua në bazë të Rezolutës së Kombeve të Bashkuara të miratuar më 2 dhjetor të vitit 1992 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.