Franca e Holanda ende skeptike për procesin e liberalizimit të vizave

Prishtinë | 20 Kor 2020 | 19:14 | Nga Ekonomia Online

Dy vjet pasi që Komisioni Evropian ia dha “dritën e gjelbër” heqjes së vizave Kosovës, shtetet e Bashkimit Evropian vazhdojnë të mos jenë unike. Marrja e Presidencës së BE-së nga shteti gjerman është parë si mundësi për të çuar përpara liberalizimin, por problem paraqet kundërshtimi i Francës e i Holandës, raporton KOHA.

Prolongimin e sheh si të padrejtë raportuesja e Kosovës për heqjen e vizave në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

“Ne i kemi provuar të gjitha. Unë me të vërtetë shpresoj që me shtyrjen e Presidencës gjermane gjatë 6 muajve të ardhshëm ka një shans real për heqjen e vizave, por një gjë e tillë është vështirë të thuhet meqë dihet hezitimi i Francës dhe i Holandës, por edhe me negociatat që po ndodhin në Bruksel. Gjatë kësaj kohe Kosova duhet të tregojë vullnet për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë me njohjen reciproke”, ka thënë raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

Përfshirjes së ambasadorit Richard Grenell, i cili ka kritikuar BE-në për mosliberalizimin e vizave Kosovës, Von Cramon i është përgjigjur duke i thënë që kërkesën t’ia drejtojë presidentit francez, Emanuel Makronn.

“Ai ka të drejtë, por ai nuk e kupton strukturën e BE-së. Të gjithë e dinë që komisioni ka dhënë dritën e gjelbër, por tani u takon shteteve të BE-së. Nëse z.Grenell dëshiron që kosovarëve t’iu hiqen vizat, ai duhet ta adresojë këtë çështje tek presidenti Makron dhe të gjithë të tjerët që kanë problem me këtë proces”, ka shtuar Viola Von Cramon.
 

Në dyvjetorin e rekomandimit të Komisionit Evropian për heqjen e vizave, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Tahiri, ka adresuar kritika ndaj BE-së.


“U bënë dy vjet kur Komisioni Evropian na e konfirmoi se Kosova përmbushi të gjitha obligimet e veta si qeveri e shtet për liberalizim të vizave. Para kësaj date ka pasur shumë premtime dhe zotime nga BE-ja, por edhe sot e kësaj dite ne nuk kemi liberalizim”, ka thënë Tahiri.

Kurse Taulant Kryeziu nga Vetëvendosje vlerëson se heqja e vizave nuk duhet të pritet gjatë qeverisjes, siç e ka quajtur ai, të “koalicionit të humbësve”

Ndërkohë profesori universitar i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arben Fetoshi, ka deklaruar se me rinisjen e dialogut është vënë në pah prolongimi i heqjes së vizave. Ai vlerëson se nëse BE-ja nuk vendos së shpejti për këtë proces kredibiliteti i saj si ndërmjetësuese e dialogut Kosovë – Serbi do të humbet.

Ai vlerëson se me momentumin e krijuar heqja e vizave mund të ndodhë gjatë këtij viti. Liderët kosovarë ka nëntë vjet që e kanë premtuar liberalizimin, por jo të gjitha shtetet e BE-së mendojnë që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet.

Të ngjashme