Franca mbështet zhvillimin e shëndetësisë kosovare

Prishtinë | 08 Nën 2016 | 12:03 | Nga

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani, priti sot në takim Ambasadorin e Republikës së Francës në Kosovë, Didier Chabert me të cilin biseduan për bashkëpunimin e mundshëm në fushën e shëndetësisë midis dy shteteve.

Në këtë takim, Ministri Rrahmani e ka njoftuar Ambasadorin Chabert me procesin e zhvillimit të reformave në shëndetësi duke nisur nga sigurimet shëndetësore, Sistemi i Informimit Shëndetësor, bartjen e kompetencave te Odat e Profesionistëve Shëndetësor, riorganizimi i strukturës së sistemit shëndetësor, Kujdesi Parësor Shëndetësor dhe zbatimi i Konceptit të Mjekësisë Familjare si dhe hapjen e shërbimeve të reja dhe ngritjen në vazhdimësi të infrastrukturës.

Ministri Rrahmani ka theksuar se kontributi i partnerëve dhe donatorëve ka qenë i madh në përkrahjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe në këtë mes, mirëpreti zgjerimin e bashkëpunimit edhe me Republikën e Francës në shëndetësi.

Ambasadori Chabert tha se javën që vjen, një delegacion i ekspertëve të fushave të mjekësisë nga Universiteti i Lionit II do të vijnë në Prishtinë për të vendosur bazat e një bashkëpunimi me Fakultetin e Mjekësisë dhe sistemin shëndetësor, në tre drejtime: në fushën e hulumtimeve dhe doktoratave shkencore; në fushën e këmbimit të studenteve midis Prishtinës e Lionit dhe në fushën e këmbimit të profesorëve midis dy universiteteve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme