Franca mund të ndjekë shembullin e Italisë dhe të bllokojë dërgesat e vaksinave anti-Covid-19 jashtë Evropës, ka thënë të premten ministri francez i Shëndetësisë, Olivier Veran.
Veran u pyet në kanalin televiziv francez BFMTV nëse Franca mund të mbajë ose jo një qëndrim të ngjashëm me Italinë për këtë. Ministri francez i Shëndetësisë u përgjigj duke thënë “ne mundemi”.
Të enjten, Italia bllokoi një dërgesë të vaksinës “AstraZeneca” e cila kishte për qëllim të shkonte në Australi.
Sipas mediave ndërkombëtare, “AstraZeneca” kishte kërkuar leje për të eksportuar 250.000 doza të vaksinës nga fabrika e saj prodhuese Anagni, afër Romës por kjo ishte bllokuar.
Masa, e cila thuhet se mbështetet nga Komisioni Evropian, ishte e para që bllokoi një dërgesë të vaksinave, për të ndihmuar të sigurohen që kompanitë e mëdha farmaceutike të respektojnë kontratën e tyre me bllokun evropian.
Tani duket sikur Franca mund të ndjekë shembullin e njëjtë ndërsa Bashkimi Evropian gjithnjë e më shumë zhgënjehet në shpërndarjen e ngadaltë të vaksinave në 27 vendet anëtare.
Lajmi vjen ndërsa Franca ka raportuar një rritje në numrin e infeksioneve me Covid gjatë dy javëve të fundit.