Franca zgjedh sot presidentin e ri

Prishtinë | 07 Maj 2017 | 15:49 | Nga

Francezët do të zgjedhin sot mes Emmanuel Macron dhe Marine Le Pen Presidentin e 8 të Republikës së V-të.

Më shumë se 47 milionë zgjedhës do t’u drejtohen sot kutive të votimit, që u hapën në orën 8 të mëngjesit dhe pritet të mbyllen rreth orës 20 të mbrëmjes.

Këto zgjedhje mbahen në gjendje të jashtëzakonshme, që zgjat prej nëntorit 2015, pas sulmeve terroriste në Paris ku humbën jetën 130 persona. Më shumë se 50 mijë agjentë iu shtuan forcave policore dhe ushtarake të angazhuara në të gjithë vendin.

Dy rivalët votuan në qendrat e tyre. E para para ishte kandidatja e Frontit Nacional Le Pen, e cila votoi rreth orës 11. Disa minuta më pas votoi edhe kandidati i qendrës Macron. Dy pretendentët për Elizenë u ndanë me 3% në raundin e parë, 24,01% Emmanuel Macron dhe 21.3% Marine Le Pen. Mirëpo sondazhet në Francë vlerësojnë se në raundin e dytë, lideri i lëvizjes En Marche! kryeson me 62% kundrejt 38 % ndaj rivales së ekstremit të djathtë.

Dy pretendentët për Elizenë përfaqësojnë dy qasje të kundërta për të ardhmen e Francës dhe te vete Europes. Macron është qartësisht pro forcimit te bashkëpunimit me Bashkimin Europian dhe i hapur ndaj tregtisë së lirë.

Ndersa Le Pen është pro shkëputjes së Francës nga zona euro dhe Brukseli dhe kundër emigracioni. Një fitore e mundshme e saj do të trondiste themelet e Bashkimit Europian, pasi Le Pen është një nga iniciatorët e kauzës për Referendumin për Frexit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme