“French Business Day”, Kosova prezantohet si destinacion i ri për investimet franceze

Prishtinë | 05 Shk 2026 | 10:26 | Nga Gzim Mujaj

Këshilli i Investitorëve Europian ka organizuar eventin, “French Business Day”, qw synon të promovojë Kosovën si destinacion investimesh, të fuqizojë dialogun publiko-privat dhe të kontribuojë në thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare ndërmjet Kosovës dhe Francës, raporton Ekonomia Online.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, diplomacisë franceze dhe komunitetit të biznesit, ndërsa u theksua rëndësia e krijimit të partneriteteve afatgjata, rritjes së investimeve dhe bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se bashkëpunimi duhet të ndërtohet mbi besimin.

“Dhe nëse ka një fjalë që duhet të përkufizojë bashkëpunimin tonë sot, ajo është besimi. Sepse besimi nuk është vetëm vlerë, është avantazh ekonomik. Në një botë të paqëndrueshme, të ndikuar nga tensionet gjeopolitike, transformimet teknologjike dhe rregullimi i fragmentuar, integriteti nuk është vetëm përmbushje rregullash, integriteti është konkurrueshmëri. Kur rregullat janë të qarta dhe zbatohen me drejtësi, kompanitë e mira sigurtë rriten, investitorët planifikojnë afatgjatë dhe shoqëritë fitojnë besim në të ardhmen”, tha ai.

Ai shtoi se Kosova është e gatshme për projekte të mëdha dhe zgjerim të bashkëpunimit tregtar.

“Sot dua të ndaj me ju tri mesazhe. Së pari, Kosova është e gatshme për partneritete të mëdha infrastrukturore. Së dyti, Kosova është e hapur për investime serioze. Dhe së treti, Kosova po zgjeron mundësitë tregtare me Evropën, me rajonin dhe më gjerë. Vendi ynë, Republika e Kosovës, është një shtet i pavarur dhe i konsoliduar, me orientim të qartë evropian dhe po, tash e kemi edhe stabilitetin institucional, i cili dëshirohet aq shumë prej bizneseve. Meqenëse ofron siguri publike, parashikueshmëri dhe disiplinë të fortë fiskale”, tha ai.

Drejtori Ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Emrush Ujkani, tha se platforma ishte përgatitur përmes një procesi të gjatë konsultimesh.

“Kjo nismë u nis në korrik të vitit të kaluar, pas një procesi të gjerë dhe gjithëpërfshirës përgatitor. Gjatë kësaj periudhe, u angazhuam në konsultime me institucionet përkatëse franceze, si dhe me Qeverinë e Kosovës dhe përfaqësues të sektorit privat, me qëllim që kjo platformë të pasqyrojë prioritetet e përbashkëta, nevojat reale të tregut dhe interesat strategjike afatgjata. Ambicia jonë është të nxisim lidhje domethënëse, të promovojmë investime dhe mundësi, si dhe të inkurajojmë inovacionin në këta sektorë, nga financat dhe energjia deri te infrastruktura, mobiliteti dhe teknologjia. Ne besojmë fuqishëm se duke bashkuar institucionet publike, partnerët ndërkombëtarë dhe sektorin privat, mund t’i shndërrojmë interesat e përbashkëta në projekte konkrete”, tha ai.

Ujkani u shpreh se kompanitë franceze janë të mirëpritura në Kosovë.

“Gjithashtu dëshiroj t’u shpreh një mirëseardhje të veçantë të gjitha kompanive franceze të pranishme sot me ne, që po eksplorojnë mundësi në vendin tonë të bukur, Republikën e Kosovës. Interesimi dhe angazhimi juaj janë jetikë për forcimin e lidhjeve ekonomike, nxitjen e inovacionit dhe mbështetjen e rritjes së qëndrueshme në rajonin tonë. Presim me padurim të ndërtojmë partneritete afatgjata dhe të krijojmë së bashku sukses të përbashkët”, tha ai.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, theksoi se interesi i kompanive franceze dëshmon atraktivitetin e vendit.

Mirëpo dy konstatime imponohen shumë qartë: së pari, marrja e këtij rreziku ishte një zgjedhje e mirë, dhe së dyti, Kosova është një vend tërheqës për kompanitë franceze. Dhe këtyre kompanive franceze të pranishme sot, e veçanërisht atyre që po e zbulojnë Kosovën, dua t’u them disa gjëra thjesht: faleminderit, faleminderit që po bëni bastin e zbulimit, sepse ka shumë gjëra për t’u zbuluar në këtë vend të bukur. Shumë energji, shumë rini, shumë dëshirë për të ndërmarrë. Dhe ata e ato që patën mundësinë dje ose këtë mëngjes të shëtisin nëpër Prishtinë, mund ta shohin këtë me sytë e tyre. Vendi po transformohet, po zhvillohet, po ndërtohet, po modernizohet, po investon”, tha ai.

Ai shtoi se marrëdhëniet ndërmjet Francës dhe Kosovës janë të forta.

“Është gjithashtu një vend me të cilin Franca mban një marrëdhënie shumë, shumë pozitive, një partner, por edhe më tepër një vend mik. Kjo marrëdhënie mbështetet në lidhje njerëzore me diasporën  e cila është padyshim e dukshme mes nesh dhe në lidhje kulturore”, tha ai.

Të ngjashme