“Frizerka”, ofendimi i Konjufcës ndaj Vjosa Osmanit, reagon Çitaku: E turpshme

Prishtinë | 19 Maj 2026 | 21:59 | Nga Ekonomia Online

Vlora Çitaku nga PDK-ja i ka reaguar Glauk Konjufcës pasi e ka ofenduar Vjosa Osmanin, duke përdorur epitetin “frizerkë”, i përdorur ndaj ish-presidentes me ton përçmues,.

Çitaku tha se ajo njeh frizerë e frizere që punësojnë dhjetëra gra e burra, që mbajnë familje, e që paguajnë taksa.

Ajo shton se kur përdoret nga një politikan si mjet për ta sulmuar e nënçmuar një grua tjetër, atëherë bëhet edhe më e turpshme.

Postimi i plotë:

Çdo punë e bërë me nder duhet trajtuar me respekt.

Secili prej nesh ka një rol dhe një funksion në shoqëri. Secili njeri që punon ndershëm e me përkushtim meriton vlerësim.

Unë njoh frizerë e frizere që punësojnë dhjetëra gra e burra, që mbajnë familje, që paguajnë taksa, përmes të cilave paguhemi edhe ne si zyrtarë publikë.

Prandaj, nuk do të shqetësohesha fare për këtë krahasim, sikur të mos ishte ngarkesa pezhorative që po i mvishet këtij profesioni të ndershëm.

E kur përdoret nga një politikan si mjet për ta sulmuar e nënçmuar një grua tjetër, atëherë bëhet edhe më e turpshme.

Nuk ka punë të turpshme.

Turp është arroganca dhe përçmimi ndaj njerëzve që punojnë ndershëm

Të ngjashme