Nuk ka qytet që ua zëvendëson fshatin banorëve të Radavcit. Përderisa në vitet e pasluftës fshatra anembanë Kosovës janë rrezikuar nga largimi i njerëzve në qytete, kjo nuk ka ndodhur në fshatin që gjendet në dalje të Pejës, përgjatë rrugës në drejtim të Malit të Zi.
Natyra e bukur, ajri, infrastruktura e rregulluar, e kushtet e mira të jetesës, e kanë bërë Radavcin vendbanim të rehatshëm për banorët, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ata janë të bindur se nuk mund të jetojnë askund aq mirë sa në këtë fshat, që është atraktiv edhe për vizitorët e shumtë.
Radavci shtrihet në kilometrin e 11-të në dalje të Pejës, përgjatë rrugës Rozhajë-Pejë. I rrethuar nga malet e Zhlebit, në skaj me Drinin e Bardhë, fshati është pjesë e vargmaleve të Bjeshkëve të Nemuna, por i gjithë fshati duket se është i shtrirë në një fushë të rrafshët në mes të malit.
Ky fshat sot konsiderohet një ndër pikat me atraktive për qytetarët brenda dhe jashtë Kosovës si destinacion i këndshëm për të kaluar ditët e pushimit. Posa kalon qytetin e Pejës e merr rrugën për këtë fshat, para sysh shfaqet peizazhi i mahnitshëm i bjeshkëve të larta që shtrihen përgjatë rrugës.
Radavci ka klimë malore. Ndryshimi i klimës vërehet posa hyn në fshat. Një xhemper është gjithmonë i nevojshëm për ata që vizitojnë pjesën atraktive rreth Drinit të Bardhë, qoftë edhe në stinën e verës.