Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës(FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama ka thënë se një toger i FSK-së, i cili ditë më parë pati një aktakuzë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka thënë se ka marrë konfirmimin se ai është liruar nga të gjitha aktakuzat dhe se nesër pritet të vijë në Kosovë.
Këto komente ai i bëri gjatë prezantimit të Planit të Integritetit të Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, i cili u kryesua nga kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, Daut Haradinaj.
Komandanti i FSK-së, gjeneral Rama, fillimisht paraqiti një ekspoze të zhvillimit, profesionalizimit dhe aktiviteteve të FSK-së, duke përmendur të arriturat në fushën e arsimimit, të trajnimit, të stërvitjes, e gjithashtu edhe pjesëmarrjen e FSK-së në ushtrime të përbashkëta jashtë vendit, si në regjion dhe më gjerë, krahas ushtrive të tjera partnere.
Gjithashtu, gjeneral Rama i njoftoj deputetët e Komisionit edhe me arritjet rreth integrimit të minoritarëve, po ashtu foli për investimet që janë bërë për përgatitjen e tyre profesionale, si dhe për planet dhe synimet e Forcës së Sigurisë drejt rrugëtimit të saj të transformimit në Forca të Armatosura, për çka komandant Rama tha se ju takon institucioneve më të larta të vendit të marrin vendim politik.
Më tej, për Planin e Integritetit si dhe për funksionimin e suksesshëm të administratës në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, raportoi para deputetëve sekretari i përgjithshëm Shkëlzen Sylaj.
Ndër tjera, sekretari Sylaj tha se Plani i Integritetit i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës është promovuar më 30 qershor 2016 dhe ka filluar të zbatohet që nga 1 korriku i këtij viti, dhe se, siç tha ai, për vijimin e implementimit të tij do të raportohet në vazhdimësi, ashtu siç edhe parashihet .
Në fund të fjalës së tij, Sekretari Sylaj tha se Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës qëndrojnë të përkushtuara për arritjen e standardeve të NATO-s. Ai tha se MFSK-ja veçanërisht departamentet e menaxhimit të burimeve njerëzore, financave, kontrollit të brendshëm etj., posedojnë planin i cili duhet të zbatohet me përpikëri.
Ndërsa, nënkolonel Sefer Isufi prezantoi më gjerësisht objektivat dhe propozimet e Planit të Integritetit, procesin mbi të cilin është hartuar si dhe partnerët dhe përvojat e vendeve që kanë përkrahur dhe ndihmuar hartimin e Planit të Integritetit të Ministrisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Gjatë takimit, deputetët, të cilët janë edhe anëtarë të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, mirëpritën hartimin e Planit të Integritetit si dhe shtruan një varg pyetjesh për të cilat komandanti i FSK-së dhe sekretari i përgjithshëm u përgjigjen me kompetencë.
Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Faruk Geci, drejtor i Drejtorisë për Politika dhe Plane në MFSK, zëvendësdrejtori i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s për MFSK-në dhe FSK-në(NALT), Dominic Braithwaite, këshilltari ushtarak i Ministrit të FSK-së, Haki Demollit, kolonel Fadil Hadergjonaj, gjithashtu edhe drejtori i Qendrës Kombëtare për Studime të Sigurisë(QKSS), Florian Qehaja dhe përfaqësuesi i Qendrës së Integritetit në Sektorin e Mbrojtjes(CIDS) të Ministrisë së Mbrojtjes së Norvegjisë, si trup këshillues profesional për hartimin e Planit të Integritetit.
Plani i Integritetit paraqet dokumentin parimor të Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, me qëllim të reduktimit të rreziqeve korruptuese në institucion, dhe është në përputhje të plotë me bazën ekzistuese ligjore të Republikës së Kosovës, e cila promovon qeverisjen e mirë dhe parimin e meritës në menaxhimin e burimeve njerëzore dhe shpenzimet e parasë publike.