Stagnimi në avancimin e mandatit të Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK) përbën dështimin kryesor të institucioneve të Kosovës në procesin e përmbushjes së Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA).
Edhe në shumë fusha të tjera zbatimi ka njohur ngecje të mëdha, shkruan sot Koha Ditore.
Të dhënat janë evidencuar në Raportin mbi shkallën e përmbushjes së Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së referuar vitit 2017, i miratuar një javë më parë në Qeveri, një kopje të të cilit e ka siguruar gazeta të hënën. Programi përmban gjithsej 967 masa që ishin planifikuar të ndërmerreshin gjatë vitit të shkuar.
Por bazuar në gjetjet e statusit të ecurisë, shkalla e përgjithshme e zbatimit të Programit gjatë atij viti është 62.05 për qind, pasi që janë zbatuar vetëm 600 nga 967 masa të planifikuara.
Mungesë veprimesh janë evidencuar kryesisht tek masat e listuara në kuadër të bllokut që njihet “Kriteret politike”. Zbatueshmëria është vetëm në shkallën 44.26 për qind.