FSK-ja dhuroi vullnetarisht mbi 560 doza gjak

Prishtinë | 03 Shk 2017 | 15:26 | Nga

Ministria e Forcës së Sigurisë  së Kosovës (MFSK) dhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), gjatë aksionit humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut kanë dhuruar 568 doza gjak për Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, në shërbim të qytetarëve të Kosovës.

Departamenti për Bashkëpunim Civilo–Ushtarak, bazuar në planin e veprimit për vitin 2017, dhe, në bashkëpunim me Departamentin Mjekësor në MFSK dhe Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, kanë organizuar aksionin për dhurimin vullnetar të gjakut nga pjesëtarët e MFSK-së dhe FSK-së.

“Ky aktivitet është paraparë të realizohet dy herë në vit, bazuar edhe në planin e punës së DBCU-së për vitin 2017, si një aktivitet me rëndësi të veçantë. Aksioni për dhurimin e gjakut u realizua në të gjitha njësitë dhe kazermat e FSK-së, sipas një plani të dizajnuar paraprakisht. Pjesëtarët e FSK-së, si zakonisht edhe kësaj here, treguan  gatishmëri për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thonë zyrtarët e MFSK-së.

Drejtori i DBCU-së, Hajrush Kurtaj, lidhur me këtë aksion u shpreh se ”ne të gjithë po ndjehemi krenarë që me gjakun tonë të dhuruar vullnetarisht po arrijmë të shpëtojmë jetë njerëzish pa dallime”.

Ndërkaq, menaxherit për marketing në QKTGJK-së, Fadil Mahmuti, vlerësoi lartë interesimin e madh të pjesëtarëve të FSK-së dhe stafit civil të MFSK-së, në përgjigje të këtij aksioni.

Drejtori i Departamentit të Mjekësisë në MFSK, Xhevdet Tahiraj, duke u shprehur për ketë aksion tha se “që ditën e parë, këtij aksioni i janë  përgjigjur një numër i madh i pjesëtarë të MFSK-së dhe FSK-së, të cilët tashmë e kanë bërë traditë  organizimin e aksionit  humanitar për dhurimin e gjakut, me moton;  një pikë gjak për shpëtimin e një jete”.

Aksioni humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, është realizuar nga data 16 janar deri më 27 janar 2017.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme