Në fshatin Plloqicë të Malishevës mbrëmë janë vrarë dy persona, vëllezër mes vete. Këtë e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Ata kanë ndërruar jetë derisa po dërgoheshin për në Spital.
Dy viktimat, vëllëzër, Sh.M, 45 vjeç dhe B. M, 34 vjeç, janë vrarë para shtëpisë së tyre.
Njëri nga viktimat mësohet të ketë qenë pjesëtarë i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Këtë për Gazeta Metro e ka konfirmuar edhe Drejtori për Marrëdhënie me Publikun në FSK, Ibrahim Shala.
Ai ka thënë se është vrarë tetari Shani Maloku i datëlindjes 1973 nga fshati Plloqicë e Malishevës, i cili ka shpërbyer në kazermën e FSK-së në Pomozetin, në Regjimentin e Mbrojtjes Civile, Njësia MKAB (Njësia për Mbrojtjes Kimike Atomike Biologjike).
“Ky është vrarë natën së bashku me vëllanë e tij duke u kthyer në shtëpi. Për momentin policia e Kosovës është duke u marrë me rastin. Strukturat kompetente të FSK-së janë duke bashkëpunuar ngushtë me Policinë e Kosovës. Tani për tani nuk mund të flasim për motivet ngase nuk i dimë ato. Presim rezultatet e hetimeve që po i bën policia dhe organet e tjera kompetente”, ka thënë Shala.
Në anën tjetër, Policia deri më tani nuk ka dhënë detaje rreth motivit të rastit.