Udhëheqës shtetëror dhe ushtarak të Kosovës dhe shteteve partnere vizituan sot operacionet përfundimtare të Ushtrimit Fushor Ndërkombëtar “Shqiponja 6”, në Kastriot, Batllavë dhe Koliq.
Fillimisht në takim e shkurtër në Ministri, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama mirëpriti gjeneralët dhe oficerët e shteteve partnere dhe drejtues të agjencioneve të Kosovës me ç’rast i falënderoi për bashkëpunimin, koordinimin dhe ndërveprueshmërinë gjatë planifikimit dhe ekzekutimit të ushtrimit fushor “Shqiponja 6”, ushtrim ky, i pari, si ushtrim ndërkombëtar që është planifikuar dhe ekzekutuar nga FSK-ja së bashkë me agjencionet vendore dhe ushtritë partnere të shteteve të ndryshme, transmeton Ekonomia Online.
Nga ana e tij, drejtori i ushtrimit fushor “Shqiponja 6”, gjeneral brigade Naim Haziri, shpjegoi konceptin, objektivat dhe skenarin e ushtrimit më të madh vjetor të FSK-së.
Siç njofton MFSK-ja përmes një komunikate për medie, gjeneral Haziri, njoftoi për urdhrin operacional, javën akademike, mirëpritjen dhe atashimin në njësitë e FSK-së, të kontingjenteve nga shtetet mike, dislokimin e njësive, ngritjen e kampit, funksionalizimin e komandës së përparme, atë të planifikimit si dhe aktivitetet e ekzekutimit të ushtrimit ndërkombëtarë “Shqiponja 6”.
Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, ambasadori i SHBA-ve, Greg Delawie, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneral major Timothy Orr, zëvendësministri i Ministrisë së Mbrojtjes të Maqedonisë, Bekim Maksuti, zëvendësministri i FSK-së Agim Çeku, drejtori i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s për MFSK/FSK(NALT), gjeneral brigade Ralf Hofman, atasheu amerikan në Kosovë, kolonel Jeffry Fischer, gjeneralë të FSK-së, eprorë të lartë të Policisë së Kosovës, drejtues të Agjencive së Kosovës për Emergjenca, si dhe ushtarakë nga shtetet mike pjesëmarrëse në Ushtrim fushor, fillimisht vizituan vend incidentin e parë në Korporatën Energjetike të Kosovës në “Kosova A”, ku ishin simuluar skenarë të reagimit emergjent, pastaj vizituan lokacionin në Batllavë, tek penda ku dyshohej, sipas skenarit, për mjete eksplozive si dhe materie të rrezikshme të vendosura nga grupe kriminale.
Te Penda e Batllaves, aty ku u demonstruan operacionet përfundimtare, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Berisha tha se me këtë ushtrim-FSK-ja po dëshmon se ka avancuar me sukses si dhe ka dëshmuar fuqishëm se është Forcë e nderveprueshme me ushtritë e vendeve partnere dhe se është e gatshme që të kontribuojë në garantimin e një ambienti të sigurisë si në vend ashtu edhe në rajon e më gjerë.
Gjithashtu edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama e vlerësoi lartë zhvillimin e të gjitha aktiviteteve të ushtrimit, duke shprehur admirimin për një bashkëpunim dhe koordinim të të gjithë akterëve në ushtrim, e sidomos ndërveprueshmërinë gjatë realizimit dhe ekzekutimit të skenarëve të ushtrimit. Në fund, komandanti i FSK-së, gjenerali Rrahman Rama, tha se suksesi i ushtrimit është edhe një dëshmi se FSK-ja është e gatshme të marr detyra të reja.
Nga ana e tij, ambasadori i ShBA-së, Greg Delawie, deklaroi se: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare që kanë punuar përkrah Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe së bashku edhe me gjashtë shtete tjera, për të organizuar këtë ushtrim”.
Më tej, ambasadori Delawie tha: “Gjithsej 88 ushtarakë amerikan janë të përfshirë në ekzekutimin e ushtrimit “Shqiponja 6” gjatë dy javëve të shkuara. Jam tepër krenar për punën e përmbushur nga ushtarakët tanë bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë”.
Gjatë vizitës së aktiviteteve të ushtrimit, udhëheqësit ushtarak vizituan edhe Komandën e përparme të Ushtrimit në Koliq, ku u priten nga komandanti i Brigadës për Reagim të Shpejtë, gjeneral brigade Fadil Hadergjonaj, ndërsa shkurtazi për tërë ecurinë e Ushtrimit Fushor Ndërkombëtarë “Shqiponja 6” njoftoi komandanti i forcës për detyrën, nënkolonel Sylejman Cakaj, njëherësh edhe komandant i Batalionit të Tretë të Reagimit të Shpejtë.
Në fund të Ditë së vizitorëve, pjesëmarrësit e rreshtuar në Ushtrim i falënderuan Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe Komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneral major Timothy Orr.
Në Ushtrimin Fushor Ndërkombëtarë “Shqiponja 6” morën pjesë me njësi ushtarake; Garda Kombëtare e Ajovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kroacia, Mbretëria e Bashkuar, Turqia, Maqedonia dhe Republika e Shqipërisë, kontingjentet e të cilave u atashuan në njësitë e FSK-së. Pastaj Policia e Kosovës, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave dhe Kryqi i Kuq i Kosovës.
Në ushtrimin fushor ndërkombëtar “Shqiponja 6” gjatë dy javëve sa zgjati ushtrimi morën pjesë gjithsej 1167 ushtarak me mbi 147 automjete.