FSK: Parku i Gërmisë është pastruar nga mjetet shpërthyese

Prishtinë | 20 Mar 2018 | 08:51 | Nga

Vizitorët e Parkut të Gërmisë së Prishtinës dy ditë më parë janë alarmuar pas gjetjes së një mjeti shpërthyes nga një qytetar, në afërsi të lokacionit të ashtuquajtur “Te koshat”.

Durim Shala, një banor i Prishtinës, ka shkruar të dielën në rrjetin social se derisa ishte duke shëtitur me fëmijët në Parkun e Gërmisë ai ka gjetur mbi sipërfaqen e tokës një mjet shpërthyes, por të pashpërthyer, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ai ka thënë se pastaj menjëherë ka lajmëruar policinë, e cila ka dalë në vendin e ngjarjes. Ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve të tjerë, vizitorë të Parkut të Gërmisë, për kujdes të shtuar gjatë qëndrimit aty.

Por drejtues të Ministrisë së Forcës së Sigurisë të Kosovë, në kuadër të së cilës funksionon edhe njësiti i çminimit, ndonëse kanë konfirmuar të jetë gjetur ky mjet shpërthyes, thonë se ky mjet nuk është i mbetur nga koha e luftës, por është sjellë aty.

Burim Ramadani, zëvendësministër i Forcës së Sigurisë të Kosovës, ka thënë për “Kohën Ditore” të hënën se në Parkun e Gërmisë më nuk ka mjete të fshehura shpërthyese në tokë, të cilat do ta rrezikonin jetën dhe sigurinë e qytetarëve.

Sipas tij, që nga viti 1999 janë pastruar 258.902 metra katrorë, duke gjetur dhe shkatërruar 375 bomba kasetore, 8 mina antipersonale dhe 3 mjete të tjera eksplozive…

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme