FSK-së i shtohen edhe 31 oficerë të rinj

Prishtinë | 16 Shk 2023 | 17:46 | Nga Ekonomia Online

Sot, në ambientet e kazermës së Forcës së Sigurisë së Kosovës “Adem Jashari” në Prishtinë, pas përfundimit të Kursit Bazik të Oficerit, u mbajt ceremonia e certifikimit e 31 oficerëve të rinj.

Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, me fjalim e tij drejtuar oficerëve të rinj, ndër të tjera tha se këta janë shtylla e ndërtimit të FSK-së.

” Si oficer të diplomuar, ju tashmë keni përvetësuar themelet e udhëheqjes duke mësuar teknikat e luftimit dhe të fushëbetejës që zbatohen si për veten e tuaj ashtu edhe për grupin që do udhëhiqni. Ju tani keni atë që duhet për të udhëhequr dhe për të ndërtuar besimin në ekipin tuaj si oficer të Ushtrisë së Kosovës, përgatitjen fizike, sigurinë mendore e emocionale, njohuritë dhe aftësitë për të udhëhequr çdo situatë në mënyrë efektive, pa marrë parasysh mjedisin ose skenarin e operacionit. Ju jeni shtylla mbi të cilën do të vazhdon ndërtimin struktural e profesional Forca e Sigurisë së Kosovës, dhe që do shoqëroj etapën e ushtrisë sonë drejt shërbimit në aleancën e madhe të NATO-s, si ofruese të sigurisë dhe paqes përtej vendit e rajonit. Dhe ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë! Në vazhdimësi po e dëshmojmë!”, tha Mehaj.

Të ngjashme