FSK zhvillon ushtrimin fushor “Shqiponja 5”

Prishtinë | 19 Tet 2016 | 09:27 | Nga

Forca e Sigurisë së Kosovës nga data 22 deri më datën 28 tetor të këtij viti, do të realizojë ushtrimin fushor “Shqiponja 5”.

Stërvitja e përgjithshme “Shqiponja 5” është planifikuar  nga grupet planifikuese të FSK-së të mbështetura  nga ekspertë të fushave të  ndryshme  nga Garda Kombëtare e shtetit Ajova, të Shteteve të Bashkuara  të Amerikës dhe do të realizohet në bashkëpunim me institucionet dhe agjencitë civile vendore për reagim ndaj emergjencave.

Gjatë ditëve në vazhdim trupat e FSK-së do të lëvizin nëpër rrugët e vendit. Aty ku do të realizohen ushtrimet lëvizjet do të jenë më të shtuara, dhe e gjithë kjo  do të bëhet pa penguar  lëvizjen e lire të qytetarëve, pa cenuar pronën dhe pasurinë e tyre, shkruan ekonomiaonline.

Ushtrimi ka për qëllim përgatitjen e njësiteve tona, që në raste të fatkeqësive të  vërteta të jenë në gjendje që në kohë sa më të shkurtër t`u dalin në ndihmë qytetarëve  tanë.

Trupat e njësive të FSK-së do të jenë në lëvizje në të gjithë vendin gjatë 24 orëve, me qëllim ushtrimi, ku qytetarët do të kenë mundësi të shohin  lëvizje më të theksuara në rajonin e Prizrenit, Malishevës, Kaçanikut  dhe Hanit të Elezit.

Qëllimi i ushtrimit fushor “Shqiponja 5” është trajnimi i liderëve dhe njësive për detyrat kolektive, me qëllim të  ngritjes së nivelit reagues të kapaciteteve operacionale, testimi i kapaciteteve ekzistuese nga njësitë e nivelit taktik dhe operacional, dhe testimi i ndërveprueshmërisë me institucionet  tjera vendore  të sigurisë e gjithashtu edhe verifikimi i arritjeve të deritashme si  dhe  mbajtja e nivelit të gatishmërisë për reagim në rast të fatkeqësive, etj.

“Shqiponja 5” është ushtrimi fushor i përgjithshëm i FSK-së, i cili mbahet çdo vit nga Forca e Sigurisë së Kosovës, e ku marrin pjesë të gjitha njësitë taktike dhe operacionale të FSK-së.

 

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme