Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSShK) ka kritikuar Qeverinë Hoti se në vend se të ndihmojë punonjësit shëndetësorë në këtë kohë të pandemisë, merr vendime skandaloze dhe provokative.
FSSHK në koordinim të plotë me Odat e profesionistëve shëndetësorë reagon ashpër dhe kërkon si në vijim:
“E njoftojmë opinionin e gjerë se FSSHK së bashku me ODAT e profesionistëve shëndetësor ka 3(tre) ditë që ka kërkuar takim me Kryetaren e Parlamentit të Kosovës znj. Vjosa Osmani në lidhje me kërkesat të cilat do të duhet të miratohen nga deputetët e Parlamentit të Kosovës, por ky takim deri më tani nuk është zhvilluar”, thuhet në reagimin e FSShK-së dërguar medieve.
“Duke qenë të vetëdijshëm se jemi në kohë Pandemie ku të gjithë punëtorët shëndetësor janë të stërlodhur (po ju rikujtojmë se janë të vetmit që nuk kanë pushuar nga muaji mars) e tashmë edhe të ofenduar nga Qeveritarët, vendimet e sotme janë mëse demotivuese”.
FSShK paralajmëron veprime sindikale gjë për të cilën është dakorduar me të gjithë profesionistët shëndetësorë.
Në fund, FSShK apelon te deputetët e Parlamentit të Kosovës pozitë dhe opozitë që t’i thërrasin ndërgjegjes që rishikimin e buxhetit të aprovohet me kërkesat e profesionistëve shëndetësor.
“Me këto veprime, Qeveria Hoti në mënyrë të sigurt po e qon shëndetësinë publike drejt kolapsit, gjë për të cilën nuk marrin përgjegjësi punëtorët shëndetësorë”, përfundon reagimi.