Kanë ndërprerë komunikimin partnerët politikë më të afërt si opozitarë gjatë mandatit të shkuar, e edhe si hisedarë në pushtet në dy vjetët e fundit. Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj nuk komunikojnë prej rreth dy muajsh.
Një burim i gazetës brenda kabinetit të kryeparlamentarit Kadri Veseli ka treguar të martën se arsyet formale të ftohjes në këtë shkallë të raporteve mes tyre e kanë burimin te mospajtimet rreth dialogut me Serbinë. Megjithëkëtë, ka thënë se më përcaktueset janë arsyet që lidhen me kontratat publike, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Pas Samitit të Berlinit, Limaj ka qenë pro pezullimit të tarifës ndaj importeve serbe, sepse e ka parë këtë si një shans për ta zhvilluar dialogun me Serbinë dhe besonte se procesi do të mbahej në kontroll nga ai, duke qenë bashkëkryesues i Delegacionit shtetëror. Në diskutimet për këtë, Limaj është zemëruar pas disa etiketimesh që ia ka bërë Haradinaj”, ka thënë ky burim.