Po thuhet nga qarqe të caktuara se “nëse nuk liberalizohen vizat nuk është fundi i botës”. Është fakt se nuk është. Por pyetja që duhet të shtrohet atëherë është “se nëse liberalizohen vizat a është fundi i botës”?! Fundja, lëvizja e lirë e njerëzve, është fundamenti i BE-së, sepse pikërisht duke mundësuar lëvizjen e lirë qytetarëve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit BE arriti këtu ku është sot. Prandaj, vazhdimi i izolimit të Kosovës do të rrisë pakënaqësinë qytetare, do të fuqizojë forcat politike populliste në Kosovë, me pasojat e të cilave vendet e BE-së veç janë duke u përballur, do të zvenisë dukshëm mbajtjen gjallë të perspektivës evropiane dhe do të mund të sillte probleme të tjera me efekte rajonale.
Dhe kjo sigurisht që do të binte ndesh me zhvillimet pozitive në Maqedoni pas ndryshimeve kushtetuese për emrin, me reformën në drejtësi dhe integrimin evropian të Shqipërisë, me orientimin pro-perëndimor të qeverisë së Malit të Zi dhe sigurisht do të binte ndesh me tërë pritjet e Procesit të Berlinit për përmirësim të infrastrukturës së gjithmbarshme në rajon, diçka që i ka munguar dhe ende i mungon rajonit.
Dialogoni me Serbinë se ‘bëhet mirë’
BE vazhdimisht na porosit që të dialogojmë me Serbinë. Dhe ne vazhdimisht dialogojmë, pa marrë parasysh çmimin që paguajmë para qytetarëve tanë, të cilët nga mospozicionimi i qartë i BE-së në këtë proces, çdo ditë e më tepër dëshpërohen për këtë dramë me Serbinë, të cilës nuk i shihet fundi. Ka mbi 15 vite që Kosova vazhdimisht harxhon energji të paparë duke dialoguar me Serbinë, në vend që të merremi me problemet reale të qytetarëve tanë.
Dhe nga ky dialog i pafund arrijmë marrëveshje me Serbinë për mospengim të njëri tjetrit në anëtarësime dhe integrime të ndryshme nëpër mekanizma të ndryshëm rajonal dhe ndërkombëtarë, ndërkohë që Serbia haptazi pengon Kosovën në të gjitha përpjekjet e saj për anëtarësime e integrime, pra shkel tërësisht marrëveshjet.
Pra, nuk duhet të mendohet dhe kalkulohet se mosliberalizimi i vizave mund të sjellë rezultate më të mira në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë duke përdorur mosliberalizimin si presion nga ana e BE-së. Përkundrazi, mosliberalizimi i vizave vetëm sa do të zbehë këtë proces, sepse qytetarët e Kosovës me të drejtë do të shprehnin shqetësimin se Serbia edhe pse vazhdimisht po e pengon Kosovën, ajo (Serbia) po avancon në rrugën e saj drejt BE-së.
Ndërkohë Kosova, edhe pse po investon jashtëzakonisht shumë elan politik në bisedimet me Serbinë, nuk po merr asgjë nga BE. Pra, kjo qasje politikisht kalkulative e BE-së nuk pritet të sjell fryte kuptimplote. Absurdi është kur Serbisë i thuhet që në vitin 2025 mund të anëtarësohet në BE, kurse Kosovës – që ka qenë e terrorizuar dhe gjenociduar që mbi 100 vite nga Serbia – nuk i hiqen as vizat e mos të flasim për anëtarësim në BE. Pra, BE i kërkon aq shumë kushte Kosovës për liberalizim të vizave, sa Serbisë dhe vendeve të rajonit nuk u kërkon të tilla për anëtarësim në BE.
Rasti më tipik është kur Serbia haptazi lobon për tërheqje të njohjeve të pavarësisë së Kosovës nëpër shtete të ndryshme të botës, kryesisht nëpër ato shtete që kanë pasur raporte të mira me Jugosllavinë e sunduar prej serbëve, pastaj pengon Kosovën për t’u anëtarësuar në UNESCO, Interpol dhe iniciativa të ndryshme rajonale.
Për më tepër, Serbia nuk zbaton as edhe një marrëveshje të vetme të arritur gjatë dialogimit me Kosovën, mbështet haptazi strukturat ilegale në Veri të Kosovës dhe e tëra kjo bëhet para syve të BE-së. Nëse Kosovës i kërkohet të fuqizojë Sundimin e Ligjit dhe Serbia haptazi pengon shtrirjen e juridiksionit të Kosovës në veri të saj, atëherë si të fuqizohet Sundimi i Ligjit, përfshirë sistemin e drejtësisë, kur Serbia bën obstruksione të vazhdueshme?!
Pastaj, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina vazhdimisht shkelin Marrëveshjen e CEFTA-s dhe BE as edhe një herë të vetme nuk mori masa ndaj tyre. Pyetja që shtrohet nga çdo qytetar i Kosovës është se si do të mund të zhvillohet ekonomikisht Kosova kur fqinjët e saj pengojnë lëvizjen e lirë të mallrave?! Pra, Serbia dhe Bosnja vazhdimisht janë rreshtuar kundër trendeve globale për krijimin e Zonave të Tregtisë së Lirë (Free Trade Areas) dhe kjo asnjëherë askujt nuk i bënte përshtypje.
Dhe kur Kosova rriti tarifat vjen menjëherë reagimi nga Brukseli. Ne të gjithë e dimë që ekonomitë e vogla duhet të hapen sepse përndryshe nuk do të mund të mbijetojnë, por ama Kosovës iu shtjerrën të gjitha mundësitë ligjore për të detyruar Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën që të zbatojnë marrëveshjen e CEFTA-s. Kosova nuk ngriti taksat pse deshi, por sepse iu imponua nga destruktiviteti konstant i Serbisë me shumë fytyra: një fytyrë vëllazërore bën për Rusinë, një fytyrë përfituese kamuflon për BE-në, një kinse-joshëse për Shqipërinë, një dërrmuese për Kosovën dhe një kukuvajkë-vajtuese në Kombe të Bashkuara siç vazhdimisht e kanë pasur traditë shtetërore dhe shoqërore.
Përkundër këtyre obstruksioneve konstante që bën Serbia, Kosovës vazhdimisht i kërkohet që të vazhdojë dialogun me Serbinë, ndërkohë që BE nuk bën as edhe një hap të vetëm në favor të Kosovës. E rasti i liberalizimit të vizave është rasti më tipik. Ka një tendencë të pathënë që procesi i liberalizimit të vizave të lidhet me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe kjo ndodh edhe sot, derisa Serbisë iu hoqën vizat nuk u kërkua kurrfarë dialogimi me Kosovën dhe as nuk u la të nënkuptohej. Madje asaj ju hoqën vizat pa e definuar qartë kufirin me Kosovën.
Prandaj, qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë të mbesin edhe më tutje të izoluar për shkak të paaftësisë së BE-së për të sanksionuar Serbinë për veprime ekstremisht destruktive dhe për shkak të problemeve të brendshme që kanë institucionet e BE-së dhe Shtetet Anëtare të saj. E duhet ditur, që edhe pse problemet e kanë shoqëruar BE-në qysh prej filleve të saj, ajo vazhdimisht, kuptohet kur ka pasur vullnet politik, ja ka dalë që të ecë përpara me projektin e zgjerimit, pra me përfshirjen e shteteve të reja në gjirin e vet. Çdo tendencë për ndalje të këtij projekti do të jetë fatale për BE-në, ashtu sikundër që do të jetë edhe për rajonin.
Kush ndali hetime?
Pse nuk përmenden pikat e forta kur flitet për viza?! Kosova dha shembullin e vetëm në botë kur bashkëpunoi pa asnjë hezitim me Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi. Kosova bashkëpunoi ngushtë me UNMIK-un dhe Tribunalin e Hagës pa asnjë rezervë në lidhje me gjoja krimet e luftës. Vetë fakti që Parlamenti i Kosovës ka miratuar ligjin për themelimin e Gjykatës Speciale tregon që bashkëpunimi me bashkësinë ndërkombëtare në hetimin e gjoja krimeve të luftës asnjëherë nuk ka munguar nga ana e Kosovës. E këtë shembull të Kosovës nuk e ka dhënë askush në rajon dhe Evropë, e besa edhe në botë.
Pra, ne bashkëpunuam sepse ishim të bindur që bëmë luftë çlirimtare, se u mbështetëm fuqishëm nga NATO dhe diplomacia botërore për të çliruar Kosovën. Ku ka ndodhur kjo? A ka ndodhur në ndonjë vend të botës kjo?! Ndërkohë që në vatra tjera siç ishin Nazistët, Japonezët, Kmerët e Kuq, Ruanda, krimet e Stalinit, Serbët, të gjitha tentuan të kamuflohen e t’i ikin drejtësisë ndërkombëtare për terror e gjenocid ndaj popujve të ndryshëm.
A tentoi ose a e dënoi kush Rusinë për terrorin sistematik që ushtronte në Kaukaz?! Sa e sa krime tjera kundër njerëzimit kanë ndodhur në botë prej pas Luftës së Dytë Botërore e deri më sot dhe për të cilat drejtësia kurrë nuk mundi ta thotë fjalën e vet?! E njëra prej arsyeve pse drejtësia nuk e tha fjalën e vet është fakti se vazhdimisht mungoi vullneti politik për këtë, diçka që Kosova asnjëherë nuk e ka demonstruar.
Shqiptarët e Kosovës, edhe pse luftuan për çlirimin e vendit të tyre, sepse lufta u imponua nga Serbia, kurrë nuk i ikën drejtësisë. UNMIK-u kishte pushtet pothuaj absolut dhe mund t’i kryente hetimet, t’i sqaronte dyshimet eventuale që padrejtësisht vazhdojnë t’i ngarkohen sot.
Edhe EULEX-i kishte të drejtë të plotë të hetonte, arrestonte dhe burgoste këdo që donte në Kosovë sa u përket krimeve të luftës dhe rasteve të korrupsionit. Pse nuk e bëri?! Të gjitha mjetet i kishte në dispozicion ashtu sikundër që gëzonte autoritetin ligjor, të cilit për hir të sw vërtetës Kosova ia pati dhënë vetë përmes votimit në Parlament. Pra, UNMK-u nuk veproi, pastaj EULEX-i dështoi, ndërkohë që Gjykata e Hagës ishte instanca tjetër ndërkombëtare që kishte plotësisht duart e lira për të hetuar Krimet e Luftës në Ish-Jugosllavi.
E sa i përket EULEX-it, kemi qenë dëshmitar edhe të situatave qesharake, kur ky mision, në njërën anë synonte fuqizimin e Sundimit të Ligjit në Kosovë, e në anën tjetër kur shpërthenin aferat e ndryshme korruptive, ftoheshin institucionet e Kosovës që të hetojnë EULEX-in, pra situata që të çmendin dhe që për një qytetar të zakonshëm janë të pakuptueshme. Qytetarët e Kosovës kanë pritur që EULEX-i të forcojë drejtësinë e Kosovë, e jo Kosova të forcojë EULEX-in.
Pra, nëse ka pasur ndonjë shtet në Evropë që ka pasur mundësi të pastrohet nga drejtësia, atëherë Kosova ka qenë rasti më ideal, pasi kishte mekanizma të shumtë siç ishin: drejtësia e UNMIK-ut, drejtësia vendore, ajo e EULEX-it, Tribunali i Hagës dhe tash Gjykata Speciale. Këtë nuk mund ta mohojë askush. E nëse të gjithë këta mekanizma nuk ja kanë dalë të bëjnë asgjë, atëherë çdo qytetar ka të drejtë, që së paku për gjoja krime të luftës, ta shohë me dyshim çdo mekanizëm ndërkombëtar të ngritur për këtë çështje. (Vazhdon)