Peter Magyar ka përfunduar hapin e parë të madh politik – fitoren në zgjedhje – por për të ndryshuar sistemin e nepotizmit dhe korrupsionit që, sipas kritikëve, ka shoqëruar shoqërinë hungareze gjatë 16 viteve të qeverisjes së Viktor Orban, ai duhet të sigurojë dy të tretat e ulëseve në parlament.
Aktualisht, sipas rezultateve me rreth 81.49% të votave të numëruara, partia e tij Tisza është në rrugë për të marrë rreth 137 ulëse në parlamentin hungarez, që është mbi pragun prej 133 deputetësh të nevojshëm për shumicë kushtetuese.
Magyar, i cili njihet si konservator, ka arritur të bashkojë një spektër të gjerë votuesish dhe pritet që qeveria e tij të përfshijë ekspertë të shëndetësisë, arsimit dhe ekonomisë, me synimin për të adresuar problemet e thella në këto sektorë, përfshirë sistemin arsimor, spitalet dhe ekonominë.
Megjithatë, pa shumicën prej dy të tretash në parlament, çdo qeveri e re do të ketë kufizime të mëdha, pasi nuk do të mund të ndryshojë kushtetutën dhe do të ketë hapësirë të kufizuar për reforma të thella strukturore.
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka pranuar humbjen në zgjedhjet parlamentare të së dielës, duke i dhënë fund qeverisjes së tij 16-vjeçare.
Ai e ka cilësuar rezultatin si “të qartë dhe të dhimbshëm”.
Sipas rezultateve të deritanishme, me mbi 80–85% të votave të numëruara, opozita e udhëhequr nga Peter Magyar dhe partia e tij Tisza po shkon drejt një fitoreje bindëse, duke pritur të sigurojë shumicë të theksuar në parlamentin me 199 deputetë. Parashikimet flasin për rreth 138 ulëse për Tisza, 54 për Fidesz dhe 7 për Mi Hazánk.
Magyar është deklaruar fitues para mijëra mbështetësve në Budapest, duke thënë se “Tisza dhe Hungaria i fituan këto zgjedhje” dhe se “së bashku e çliruan Hungarinë dhe i dhanë fund regjimit të Orbánit”.
Orban, nga ana tjetër, pas fjalimit para mbështetësve ka telefonuar Magyarin për ta uruar për fitoren.
Zgjedhjet janë cilësuar si historike për shkak të pjesëmarrjes së lartë dhe ndikimit të tyre në të ardhmen politike të vendit dhe të Evropës.
Liderë të ndryshëm evropianë kanë përshëndetur rezultatin, duke theksuar rikthimin e Hungarisë në boshtin pro-BE dhe pritjet për një qasje më të afërt me Brukselin në çështje si mbështetja për Ukrainën dhe bashkëpunimi evropian.