Moti gjatë fundjavës në Kosovë pritet të jetë kryesisht me diell dhe i nxehtë, me temperatura maksimale që do të arrijnë deri në 36 gradë Celsius, sipas parashikimit meteorologjik.
Sipas njoftimit, të shtunën, më 1 gusht, temperaturat minimale do të lëvizin nga 11 deri në 16 gradë Celsius, ndërsa maksimalet pritet të arrijnë nga 31 deri në 36 gradë.
“Mbi vendin tonë do të mbajë mot kryesisht me diell dhe i nxehtë. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11°C dhe 16°C, ndërsa maksimalet do të arrijnë 31°C deri në 36°C. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga verilindja dhe veriperëndimi”, thuhet në njoftim.
Për shkak të indeksit të lartë UV, qytetarëve u rekomandohet të shmangin ekspozimin direkt në diell gjatë intervalit kohor 10:00–17:00, të përdorin mjete mbrojtëse nga dielli dhe të konsumojnë sasi të mjaftueshme uji.
Edhe dita e diel, 2 gusht, pritet të karakterizohet nga mot i kthjellët dhe shumë i nxehtë, me temperatura minimale nga 11 deri në 16 gradë, ndërsa maksimalet do të jenë nga 32 deri në 36 gradë Celsius.
“Edhe të dielën do të mbajë mot kryesisht me diell dhe shumë i nxehtë. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11°C dhe 16°C, ndërsa maksimalet ndërmjet 32°C dhe 36°C. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga verilindja dhe veriperëndimi”, bëhet e ditur në njoftim.
Sipas parashikimit, kushtet biometeorologjike do të jenë relativisht të pafavorshme, veçanërisht gjatë orëve më të nxehta të ditës. Temperaturat e larta dhe rrezatimi i fortë diellor mund të shkaktojnë lodhje, dehidrim dhe shqetësime te personat me sëmundje kronike, fëmijët dhe të moshuarit.
“Rekomandohet konsumimi i lëngjeve në sasi të mjaftueshme, shmangia e aktiviteteve të rënda fizike në ambiente të hapura gjatë mesditës, si dhe qëndrimi në vende të freskëta dhe të ajrosura”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, kushtet e motit pritet të jenë të favorshme për bujqësinë, duke ndihmuar në pjekjen dhe vjeljen e kulturave bujqësore. Megjithatë, temperaturat e larta do të rrisin avullimin dhe humbjen e lagështisë nga toka.
Për këtë arsye, rekomandohet ujitja e rregullt e kulturave në fazat më të ndjeshme të zhvillimit, si dhe kryerja e ujitjes në orët e hershme të mëngjesit ose në mbrëmje për të shmangur stresin termik dhe humbjet e ujit.