Funksionalizohet sistemi i grumbullimit të ujërave të shiut në SHM “Abdyl Ramaj” në Suharekë

Prishtinë | 04 Shk 2026 | 20:30 | Nga Ekonomia Online

Në shkollën IAAP “Abdyl Ramaj” në Suharekë, më 3 shkurt, është mbajtur ceremonia përmbyllëse e projektit për funksionalizimin e Sistemit të Grumbullimit të Ujit të Shiut dhe Ujitjes së Qëndrueshme, një investim që synon ruajtjen e resurseve ujore dhe avancimin e edukimit praktik në shkolla.

Projekti është realizuar në kuadër të IWRM-K Faza 2 – Skema e Granteve për OJQ, me mbështetje të Qeverisë Zvicerane përmes Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), dhe ka për qëllim përdorimin e ujit të reshjeve për ujitje gjatë periudhave të thata.

Sistemi i implementuar grumbullon ujin e shiut nga kulmi i objektit shkollor dhe e ruan atë në rezervuarë, për t’u përdorur më pas për ujitjen e hapësirave të gjelbra përmes rrjeteve të ujitjes me spërkatje dhe sistemit pikë-pikë. Përveç funksionit praktik, sistemi u mundëson nxënësve dhe mësimdhënësve përfshirje direkte në mësimin praktik mbi menaxhimin e qëndrueshëm të ujit.

Gjatë ceremonisë, përfaqësuesja e SDC-së, Ardiana Efendija Zhuri, e cilësoi projektin si një shembull të mirë të investimeve të qëndrueshme.

“Ky projekt është një iniciativë shembullore për ruajtjen e resurseve ujore, ku një grant i zbatuar mirë arrin të krijojë ndikim konkret në komunitet, duke lidhur mjedisin me arsimin,” ka deklaruar ajo.

Në këtë ngjarje morën pjesë edhe Drejtori i Arsimit dhe Drejtori i Shërbimeve Publike të Komunës së Suharekës, të cilët përgëzuan shkollën dhe partnerët për realizimin e projektit, duke theksuar se komuna do të vazhdojë të përkrahë iniciativa që krijojnë qëndrueshmëri dhe se synohet që ky model të replikohet edhe në projekte të tjera infrastrukturore.

Përfaqësuesit institucionalë ritheksuan rëndësinë e angazhimit të përbashkët për ruajtjen e resurseve ujore dhe shprehën gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejmë me donatorët, me qëllim që projekte të ngjashme të zbatohen edhe në institucione të tjera arsimore dhe publike.

Sipas tyre, përvoja e IAAP “Abdyl Ramaj” dëshmon se bashkëpunimi ndërmjet shkollës, komunës dhe partnerëve mbështetës mund të rezultojë në sisteme funksionale që integrohen në operimin e përditshëm të institucioneve dhe krijojnë bazë për avancimin e qasjeve të qëndrueshme në Kosovë.

Të ngjashme