Tri projektligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës nuk e definojnë FSK-në si forcë ushtarake.
Rrjedhimisht, sipas njohësve të Kushtetutës, nuk kanë ndryshuar as funksioni dhe mandati kushtetues i kësaj force, shkruan sot Koha Ditore.
Institucioni ligjvënës javën e kaluar miratoi në parim pakon e projektligjeve që parashohin transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri, duke hequr dorë prej ndryshimeve kushtetuese për shkak të kundërshtimit të Listës Serbe, pa dy të tretat e të cilëve nuk mund të bëhen ndryshimet.
Gjykuar sipas asaj që thuhet në pakon e tri ligjeve që normojnë pozitën dhe rolin e FSK-së në shoqërinë kosovare, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka listuar gjashtë karakteristika të këtij institucioni kushtetues. E para, sipas tij, është infrastruktura ligjore për transformim gradual të FSK-së në ushtri, në tërësi, e cila, siç ka thënë Hasani, i ngjan rastit japonez, si në formë ashtu dhe në përmbajtje.