Fuqia e të “pafuqishmëve”

Prishtinë | 13 Tet 2022 | 11:34 | Nga Afrim Kasolli

Në shkrimin “Feminizmi si anti-autoritarizëm”, të botuar para pak kohe në Sbunker, pata argumentuar se pse lufta kundër kauzave feministe po behët gjithnjë e më ashpër nga përfaqësuesit e regjimeve autoritare. Dhe se mohimi i të drejtave të grave, mbetet njëri nga synimet kryesore të liderëve autoritar.

Kjo urrejtje despotike ndaj lirive dhe të drejtave të grave nuk është diçka e rastësishme. Ngase forcimi dhe avancimi i këtyre të fundit i lëkund themelet e këtij modeli të sundimit politik. Askund më shumë se në Republikën Islamike të Iranit nuk po manifestohen përplasje të tilla.

Mijëra gra janë ngritur në këmbë kundër regjimit autoritar teokratik të Ali Khamene-it. Siç dihet revolta mori shkas nga vdekja e Mahsa Amini-it një vajzë e re, e cila u torturua nga policia morale e këtij regjimi, me pretekstin se paska shpërfillur kodin e veshjes fetare.

Kjo vrasje makabre i përndezi zemrat e mijëra grave në atë shtet, kundër një regjimi autokratik, në kërkim të lirive dhe të drejtave për trupin e tyre. Që trupi i grave të mos jetë “subjekt” i manifestimit të pushtetit. Por po ashtu kërkesat e tyre janë të drejtuara edhe kundër shtypjes së burrave. Pra ato po angazhohen për barazinë e gjithë shoqërisë, të mohuar nga regjimi teokratik në fuqi.

E ky “rebelim” feminist ka shpërthyer në një moment tjetër delikat për sistemin dominues në këtë shtet. Sepse ka kohë që kanë filluar përpjekjet për zëvendësimin e mundshëm të liderit suprem Ali Khamenei, i cili sundon në këtë shtet që nga viti 1989. Sipas raporteve ndërkombëtare tashmë këshilli i eksperteve është duke i diskutuar dy opsione, ose zëvendësimin e Ajatollahut me një lider tjetër, ose krijimin e një këshilli të liderishipit, si përpjekje për të pajtuar të gjitha fraksionet e mundshme që janë shtresëzuar në atë shoqëri. Ndërkohë lëkundja e këtij regjimi, po ndodh po ashtu edhe në një ambient fragjil ndërkombëtar.

Dihet se aleati kryesor i këtij regjimi është Rusia, që së bashku me Kinën dhe shtete tjera, kanë tentuar ta formojnë boshtin e shteteve autoritare kundër botës demokratike të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sidoqoftë, se cili do jetë bilanci i kësaj rezistence, do të varet nga shumë faktorë. A do të futen gratë e këtij shteti në panteonin e historisë, që me fuqinë e tyre të “pafuqishme” e hapën rrugën e një revolucioni demokratik, mbetet të shihet. Apo regjimi në fuqi do të përdor një sërë masash ekstreme për të shtypur me çdo kusht këtë shpërthim masiv politik. Madje, janë të njohura rastet kur pakënaqësitë e brendshme në shoqërinë iraniane, ky sistem kishte arritur t’i neutralizonte edhe me mjete të jashtme.

Siç dihet, përmbysja e regjimit të Shah-ut Reza Pahlavi në vitin 1979, ishte produkt i një sërë kontigjencave politike dhe historike. Në fund ndodhi rrëmbimi i kësaj ngjarje nga Ajatollah Khomein-i. Kështu me qëllim të konsolidimit të brendshëm të regjimit teokratik dhe margjinalizimit të rrymave majtiste, e të cilat patën rol krucial në rrënimin e monarkisë së Pahlav-it, Khomein-i, i mori peng të punësuarit në Ambasadën Amerikane në Teheran, si pjesë e përpjekjeve për ta qesëndisur me petk religjioz revoltën kundër imperializmit dhe anti-amerikanzimit. Me këtë rast, shumë protagonistë të së majtës mbeten atëbotë pa kauzë pas këtij inskenimi. Dhe i ofruan lojalitet absolut sundimtarit të ri të Iranit.

Prandaj, ka të drejtë Mohammad Ayatollahi Tabaar, që në shkrimin e fundit “The Folly of Iran’s Hard-Liners -A Repressive Regime Has Left Citizens With No Option But Revolt” të botuar në “Foreign Affairs”, kur shkruan se shumë aktiviste të së majtës në atë kohë, me vetëdëshirë pranuan të visheshin sipas kodeve të regjimit, vetëm si shprehje e solidaritetit me aktet anti-imperialiste të liderit suprem.

Mbase, shprehje më e spikatur kjo e verbërisë konstante të mbartëseve të ideologjive të së majtës, të cilët për shkak të urrejtjes së tyre patologjike kundër sistemit liberal të SHBA-ve, nuk ngurojnë të solidarizohen edhe me regjime më shtypëse se sa ato që pretendojnë t’i luftojnë. Dhe dëshmi se lufta për demokraci duhet të zhvillohet në mënyrë të njëllojtë si kundër modelit teokratik ashtu edhe kundër së majtës ekstreme.

Këto fakte tregojnë se pse sot revolta e grave në Iran duhet të zhvillohet vetëm sipas parimeve të demokracie liberale me qëllim që të ketë sukses.

Të ngjashme