Klubet italiane të futbollit, lojtarët dhe tifozët janë bashkuar për të mbledhur miliona euro në përkrahje të sistemit shëndetësor që është sprovuar nga përhapja e shpejtë e Coronavirusit.
E enjtja ishte një prej ditëve më të rënda në betejën e Italisë me COVID – 19. Numri i të vdekurve ka arritur në 3405, duke kaluar Kinën si vendi me numrin më të madh të vdekjeve nga koronavirusi.
Gjendja e izolimit në vend është në fuqi, në tentimin e organeve shtetërore për të ndalë përhapjen e mëtejme të virusit. Të gjitha ngjarjet sportive janë pezulluar që nga 9 marsi.
Në Serie A, numri i lojtarëve të infektuar arriti në 13 kur mesfushori francez i Juventusit, Blaise Matuidi dhe lojtari i Veronas, Mattia Zaccagni dolën pozitiv në testet për koronavirus.
Një seri e kampanjave nga klubet, lojtarët dhe pronarët ka ndihmuar në luftën ndaj krizës që është ndjerë në të gjithë shoqërinë e Italisë.
AS Roma ka shpërndarë për kishat rreth kryeqendrës 8000 palë doreza mbrojtëse dhe 2000 shishe të dezinfektuesve të duarve. Interi ka bërë donacion 300 mijë maska për departamentin e shëndetit publik.
Lojtarët e ekipit të parë të Interit dhe stafi i kësaj skuadre kanë dhuruar 500 mijë euro derisa kampanjat për mbledhje të fondeve të Romës, Milanit, Juventusit dhe Fiorentinas kanë siguruar nga të paktën 420 mijë euro.
Fushata e Lazios nxori në pah rëndësinë e njerëzve që vazhdojnë të shkojnë dhe të japin gjak, duke siguruar banorët që qëndrojnë në shtëpitë e tyre se kjo është e lejuar dhe e sigurt.
Ka pasur edhe plot raste individuale të mbledhjes së fondeve.
Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimoviq ka nisur një kampanjë të enjten, ndërsa ka ofruar 100 mijë euro. Tashmë janë mbledhur 250 mijë euro në fushatën e tij.
Andrea Petagna, Lorenzo Insigne, Simone Zaza, Federico Bernardeschi kanë mbledhur më shumë se 430 mijë euro në fushatat e tyre.
Kontributi më i madh ka ardhur nga dy emrat më të mëdhenj në vend. Ish-kryeministri, Silvio Berlusconi ka bërë donacion prej 10 milionë euro për regjionin e Lombardisë. Familja Agnelli, që është pronare e Juventusit, ka dhënë shumë të njëjtë në përkrahje për shërbimin mjekësor të vendit.