Futbollistët e Real Madrid kanë publikuar disa foto, teksa shihen duke buzëqeshur dhe bërë shaka, të mbështetur pranë logos së Liverpool.
E gjitha kjo ka ndodhur për shkak se ndeshja miqësore e cila u zhvillua dje në mes të Brazilit dhe Kroacisë, u luajt në stadiumin e Liverpool “Anfield”.
Duke marrë parasysh se ka disa lojtarë të Brazilit dhe Kroacisë që janë bashkëlojtarë te Real Madrid, ata e kishin shfrytëzuar këtë mundësi, për të bërë shaka pranë logos së Liverpool në stadiumin “Anfield”, të cilën skuadër jo shumë kohë më parë e mposhtën në finale të Champions League.
Në foto dallohen lojtarë si Marcelo, Casemiro, Luka Modric e Mateo Kovacic teksa pozojnë para logos së Liverpool dhe shihen duke buzëqeshur.
Megjithatë, jo vetëm lojtarët e Real Madrid, kishin një bashkim në këtë miqësore, pasi u pa një ribashkim i dikur dy lojtarëve të Barcelonës, Ivan Rakitic dhe Neymar, sikurse edhe Philippe Coutinho që kishte qenë lojtar i Liverpool me kroatin Dejan Lovren që është ende pjesë e “Reds”.
Përndryshe, ndeshja miqësore në mes Brazilit dhe Kroacisë përfundoi me fitore të “Seleçaos” me rezultat 2-0, me golat e Neymar dhe futbollistit të Liverpool, Roberto Firmino.