Roma po merr tani frymë lirshëm, pasi futbollistët kanë hequr dorë nga pagat për katër muajt e ardhshëm.
Giallorosët si shumica e klubeve tjera janë duke u përballur me një krizë pas ndalesës së futbollit nga pandemia Covid-19.
Futbollistët e Romës kanë marrë vendim që të heqin dorë nga pagat e tyre dhe nuk do të paguhen në katër muajt e ardhshëm për t’ia mundësuar Romës që t’i mbajnë punëtorët tjerë të klubit.
Ka qenë vet klubi i Romës që nëpërmjet një njoftimi zyrtar ka konfirmuar se lojtarët kanë hequr dorë nga pagat.
“Ne gjithmonë flasim për unitetin e Romës. Në mënyrë vullnetare lojtarët dhe trajneri Fonseca së bashku me stafin kanë hequr dorë nga marrja e pagave për katër muaj”.
“Kjo gjë ka dëshmuar edhe njëherë se ne jemi të gjithë bashkë në këtë kohë pandemie”, ka thënë drejtori i përgjithshëm i Romës, Guido Fienga.
Gjesti i jashtëzakonshëm i lojtarëve të Romës është përshëndetur nga tifozët verdhekuq, por edhe nga e gjithë bota e futbollit.
Nga ky gjest i lojtarëve dhe stafit teknik, Roma pritet të kursej deri në 30 milionë euro, që bashkë me taksat do të shkonte shuma në 45 milionë.
Kujtojmë që të njëjtën gjë ditë më parë e kishin bërë edhe dy skuadrat tjera italiane Juventus dhe Parma.
Shembullin e futbollistëve të Romës pritet ta marrin edhe lojtarët e dy ekipeve nga Milano, Inter dhe Milan.