Futbollisti i Crvena Zvezdës, Milos Degenek, e ka ofenduar yllin kosovar të Zvicrës dhe Livepoolit, Xherdan Shaqirit, në prag të ndeshjes së Ligës Kampionëve mes të kuqve dhe vizitorëve nga Beogardi sonte në “Anfield”, duke e quajtur njeri pa vlera pasi e akuzoi se ka provokuar palën serbe.
Liverpooli e pret Crvena Zvezdën sonte në kuadër të fazës grupore të Ligës së Kampionëve në Liverpool, në një takim që nis orën 21:00.
Degenek, i cili luan për Zvezdën dhe e përfaqëson Australinë në arenën ndërkombëtare, pohon se Shaqiri i ka provokuar serbët kur festoi me shqiponjë golin e fitores së Zvicrës ndaj Serbisë në Kupën e Botës 2018 këtë verë në Rusi.
“Nëse dëshiron të provokojë, le të provokojë dhe të dëshmojë se çfarë njeriu është dhe sa vlen. Qartë nuk vlen aspak si njeri, pasi dëshiron të provokojë në bazë të racës së dikujt, shtetit prej nga është, prejardhjes. Edhe më keq që ai vetë nuk e di prej nga është”, ka thënë Degenek për mediat serbe të martën. /Express/