Gani Geci: Nuk ishte vrasje, por mbrojtje e nevojshme

Prishtinë | 26 Sht 2017 | 11:22 | Nga

Gani Geci në ankesën për dënimin në lidhje me vrasjen e Ruzhdi Shaqirit ka konstatuar se veproi për t’u mbrojtur.

Gjykata e Apelit është duke e shqyrtuar sot rastin e vrasjes së Ruzhddi Shaqirit për të cilën akuzohet Gani Geci.

Shaqiri ishte vrarë më 4 gusht 2014 në kafiterinë “N’Qosh” të Skenderajt.

Më 3 qershor të vitit të kaluar Gani Geci ishte dënuar për këtë vrasje me 4 vjet e gjashtë muaj burg.

Pastaj ndaj këtij vendimi të gjykatës janë ankuar në Apel, Prokuroria e EULEX-it, pala e dëmtuar dhe përfaqësuesi i saj ligjor, e gjithashtu edhe Ndrecë Dodaj avokati i Gani Gecit dhe vetë Gani Geci.

Në seancën e sotme që po zhvillohet në Gjykatën e Apelit, gjyqtarja referuese Mejreme Mema e lexoi në pika të shkurtra lëndën e këtij rasti të vrasjes.

Sipas gjyqtares Mema, e dëmtura Halime Shaqiri ka kërkuar dënim maksimal për Gecin.

“Dënimi nuk duhet të jetë aq i butë, por të jetë në maksimum, pasi ka vrarë një person që është kryefamiljar”, ka thënë Shaqiri.

Sokol Dobruna, avokati i Shaqirit ka kundërshtuar kërkesën e të akuzuarit për ulje dënimi.

“E vetmja rrethanë lehtësuese mbetet pranimi i fajit”, ka thënë Dobruna.

Ndërsa Gani Geci në ankesën e tij pretendon për vërtetim të gabuar të gjendjes faktike gjatë dënimit të tij nga themelorja.

“Kjo ankesë është mjaft voluminoze”, tha gjyqtarja Mema për ankesën e Gecit.

“Nuk kemi të bëjmë me vrasje, por kemi të bëjmë me mbrojtje të nevojshme”, ka thënë Geci në ankesë.

Pas vrasjes së Ruzhdi Shaqirit, Gani Geci për më shumë se dy javë konsiderohej i arratisur, ndërsa më 22 gusht iu dorëzua EULEX-it- Misionit Europian për Sundim të Ligjit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme