Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, thotë se ka marrë kërcënime serioze dhe të gjitha rastet i ka denoncuar në Polici.
Musliu ka thënë se kërcënimet kanë qenë shumë serioze, me ç’rast i është ofruar mbrojtje e afërt nga Policia, por ajo nuk ka pranuar.
“Po jam kërcënuar. Janë serioze dhe i kam paraqitur. (Jam kërcënuar) deri me prerje koke dhe i kam denoncuar në polici. Policia më ka ofruar edhe kujdes dhe mbështetje por nuk kam pranuar që të marrë truproja dhe të dal sepse ditën që unë do të marrë truproja s’jetoj në Kosovë. S’i kam borxh askujt, përveç zotit. Prandaj s’kam frikë të dal dhe të ecë vetëm. Është derdhur gjak që me fol të lirë në Kosovë”, theksoi deputetja.
Musliu kritikoi pozitën se nuk reagojnë në situata të tilla. Ajo kujtoi kërcënimet ndaj drejtoreshës së një shkolle në Gjakovë, dhe mos reagimin e krerëve institucional, përfshirë presidenten Vjosa Osmani.
“Ajo merr kërcënime të djegies me acid, i thonë kemi me t’i djeg fëmijët me acid dhe nuk reagon presidentja e vendit, nuk reagon Ministrja e Drejtësisë, nuk reagon Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, nuk reagon kryetarja e grupit parlamentar të grave deputete, nuk reagon kryeministri i vendit, nuk reagon ministrja e Arsimit, ndërsa pas një jave një kolege e imja deputete (Eliza Hoxha) në mungesë të sukseseve të një vjetorit të presidentes, “mund të them se presidentja po duket bukur” dhe të gjitha këto që i përmenda çohen dhe reagojnë kundër një komplimenti që e merr nga një deputete e opozitës. Çka i thuhet kësaj”, shpjegoi Musliu në T7
“Kur një grua kërcënohet që kanë me t’i djeg fëmijët me acid ne heshtim, e mbyllim gojën ndërsa dikush, i përkëdheluri ynë, qoftë edhe një kompliment ose ironizim e merr nga dikurshëm, ne çohemi dhe reagojmë për gjuhë seksiste”, theksoi ajo.